Viti i ri mësimor, qeveria jep 1790 bursa për gjithë vendin
Jonida Tashi
Vetëm 190 nxënës dhe 1600 studentë do të përfitojnë bursë vitin e ri arsimor. Qeveria, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave ka përcaktuar kategoritë që do të marrin ndihmë nga shteti vitin shkollor 2008-2009. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para është data 15 dhjetor 2008, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitet e dyta e lart, është data 30 nëntor 2008. Në raste të veçanta, kur këshilli i bashkisë apo i komunës nuk mund ta miratojë, brenda këtij afati, numrin e bursave të dhëna, mbetet kompetencë e Ministrisë së Arsimit shqyrtimi i këtyre vendimeve, rast pas rasti. Nxënësit, që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët, që ndjekin një program studimi, të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, nga buxheti vjetor, i miratuar për Ministrinë e Arsimit nëse plotësojnë disa kritere. Kriteri ekonomik si dhe rezultatet e larta në shkollë janë dy kushtet kryesore për të përfituar bursë. Por nga përfitimi i bursës nuk përjashtohen nxënësit ose studentët që kanë fituar statusin e jetimit.
Nxënësit
Bursat e nxënësve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga këshilli i bashkisë dhe komunës, sipas vendndodhjes, territoriale e administrative të konvikteve, ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Nxënësit, që në vitin e parë kanë përfituar bursë, me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës. Bursat për nxënësit, të cilët studiojnë në shkollat profesionale, në degët parësore për zhvillimin e ekonomisë, si në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe në ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të, planifikohen dhe shpërndahen nga Ministria e Arsimit. Numri total i bursave, të planifikuara për nxënësit, që përfitojnë, për vitin shkollor 2008-2009, është 190, brenda planit të bursave të miratuara po për këtë vit. DAR-ja/ZA-ja janë të detyruara t’i dërgojnë informacion për numrin e nxënësve, që përfitojnë bursën, sipas këtij kriteri, Ministrisë së Arsimit.
Studentët
Bursat e studentëve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga institucionet e arsimit të lartë. Studentët e viteve të dyta e lart, që nuk kanë përfituar bursë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund ta përfitojnë atë brenda planit të bursave, të përcaktuar sipas këtij vendimi. Numri i bursave për këtë kategori studentësh dhe për studentët, që përfitojnë bursë sipas ligjit, është deri në 130, në shkallë vendi, brenda numrit të përgjithshëm të bursave, të dhëna për vitin shkollor 2008-2009. Institucionet e arsimit të lartë paraqesin, në Ministrinë e Arsimit, kërkesat për studentët, që përfitojnë bursë. Ministria e Arsimit harton planin e shpërndarjes, të cilin i’a dërgon për ekzekutim institucioneve të arsimit të lartë. Studentët, që, gjatë vitit të parë, kanë përfituar bursë me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës. Nga plani i bursave, të miratuara për vitin shkollor 2008-2009, bashkisë së Tiranës i jepen 15 (pesëmbëdhjetë) bursa të larta, për studentët, që vijnë nga familjet/shtresat sociale në nevojë, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, duke i përjashtuar nga kriteri, që të vazhdojnë studimet jashtë vendbanimit të tyre.
Jetimët
Nxënësit/studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve, që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve, që nuk Shikojnë, përfitojnë falas veshmbathje, libra, fletore, etj. Kjo kategori nxënësish/studentësh përjashtohet nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme, që ofrojnë shkollat. Gjithashtu, këtyre nxënësve/studentëve, që kanë përfituar statusin e jetimit, u sigurohen falas, nga fondet e shkollave përkatëse, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës dhe të kartës shëndetësore, si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit. Nxënësit jetimë e përfitojnë bursën edhe gjatë pushimeve verore, si dhe vetëm një vit, kur humbasin vitin shkollor, për rezultate jokaluese. Fëmijët dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, pa konvikt, trajtohen falas nga shteti, me një vakt ushqim (drekë), me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat, si dhe numri i bursave për studentët administrohen nga institucionet e arsimit të lartë dhe u paguhen, çdo muaj, me kalim, në numrin e llogarisë bankare të çdo studenti. Këto “kuota ushqimore”, si dhe numri i bursave për nxënësit administrohen nga bashkia/komuna, sipas vendndodhjes, territoriale dhe administrative, të konvikteve, ku janë vendosur nxënësit konviktorë, dhe u jepen nxënësve vetëm me ushqim, në konvikt.
Plani
Ministria e Arsimit harton planin e shpërndarjes së bursave, për Drejtoritë Arsimore Rajonale (DAR) dhe Zyrat Arsimore (ZA), për vitet e para, sipas kuotave të miratuara (për nxënës/studentë). DAR-ja/ZA-ja, pas këshillimit me strukturat e pushtetit vendor, bëjnë planin e shpërndarjes së bursave në bashki dhe komuna, në përputhje me kërkesat e paraqitura, paraprakisht, prej tyre për kategoritë që përcakton ligji. Bashkitë dhe komunat, bazuar në planin e përcaktuar për to, nga DAR-ja/ZA-ja, vendosin me këshillat e tyre për dhënien e bursave, sipas kritereve ekonomike, të përcaktuara në këtë vendim, duke u dhënë përparësi nxënësve/studentëve nga shtresat sociale në nevojë, për trajtimin me bursë të plotë ose, në pamundësi, trajtimin me gjysmë burse. Bashkitë dhe komunat, detyrimisht, u dërgojnë, në rrugë zyrtare, drejtorive arsimore rajonale apo zyrave arsimore përkatëse, vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës. Drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore u dërgojnë institucioneve të arsimit të lartë, bashkive dhe komunave, që menaxhojnë konviktet, listën emërore të nxënësve/ studentëve, që do të trajtohen me bursë, së bashku me vendimet origjinale të këshillave bashkiake apo të komunave. Një kopje e kësaj liste dërgohet edhe në Ministrinë e Arsimit.
Bursat
Sipas kriterit ekonomik
Përfitojnë bursë sipas kriterit ekonomik nxënësit dhe studentët e mëposhtëm:
Nxënësit/studentët, që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre, në largësinë mbi 5 km, dhe plotësojnë kriterin ekonomik, sipas ligjit
Nxënësit, që banojnë në fshat, pa shkollë 9-vjeçare, brenda rrezes prej 5 km, e që vendosen në konvikt publik
Nxënësit/studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik
Nxënësit/studentët, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore, me vendim gjykate, të formës së prerë, dhe që plotësojnë kriterin ekonomik
Secili nga studentët bashkëshort, me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik e që vendoset në konvikt publik
Fëmija, nxënës apo student, që ka statusin e invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik, dhe që plotëson kriterin ekonomik
Sipas rezultateve të arritura
Bursë sipas rezultateve të arritura përfitojnë:
Nxënësit e arsimit të mesëm profesional, që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës, me të gjitha notat 10-ta
Studentët, që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, e që kanë mbaruar shkollën e mesme, me Medalje Ari.
Studentët, që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, e që janë shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës më të mirët e Maturës Shtetërore. Për vitin 2008 janë, gjithsej, 30 (tridhjetë). Kjo kategori studentësh përfiton bursë vetëm për vitin shkollor 2008-2009
Studentët, që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me të gjitha notat 10-ta
Studentët, që vazhdojnë studimet në degët matematikë dhe fizikë, në vitet e dyta e lart dhe që e kanë përfunduar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të
Jashtë kriterit ekonomik
Jashtë këtij kriteri përfitojnë bursë nxënësit ose studentët që janë fëmijë i punonjësit të policisë, që ka humbur jetën në krye e për shkak të detyrës. Në fillim të çdo viti akademik, Ministria e Brendshme dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës listën për këtë kategori.
Sipas degëve përparësore
Përfitojnë bursë sipas degëve përparësore për zhvillimin e ekonomisë nxënësit, të cilët vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe në ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të
Kur nuk përfitohet bursa
Nxënësit dhe studentët nuk e përfitojnë ose/dhe e humbasin të drejtën e përfitimit të bursës, kur:
Janë ndarë nga trungu familjar
Familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private
Vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi
Shpallen mbetës dhe humbasin vitin shkollor, për arsye të rezultateve jokaluese
MASH-i jep 60 bursa për shkollën “Peter Mahringer” në Shkodër
Ministria e Arsimit do të japë 60 bursa studimi, nga të cilat 30 bursa, për nxënësit e viteve të para, dhe 30 bursa, për nxënësit e viteve të dyta, të shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, Shkodër, për vitin shkollor 2008-2009. Masa e bursës do të jetë 680 euro për nxënës në vit, për shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe mbulimin e kostos për tekstet mësimore. Miratimi i këtyre bursave është bërë nga bordi i fondacionit shkollor austriak, në mbështetje të kritereve ekonomike dhe të rezultateve të arritura nga secili nxënës/aplikant.
28 Gusht 2008