E vërteta e depozitave bankare, sa të sigurta janë
Gara e bankave private për të tërhequr sa më tepër klientë pranë tyre ka të bëjë politikën joshëse që këto institucione po ndjekin duke reklamuar depozita me interes sa më të lartë. Ashtu si me kreditë bankare, ku shumë banka nisën të ulin interesin e përqindjeve dhe të reduktojnë procedurat urokratike, e njëjta gjë po zbatohet edhe tani me politikën e joshjes së klientëve për të depozituar pranë bankave private paratë e tyre. Kjo lidhet dhe me nevojën e ngutshme që shumë banka tregtare kanë për likuiditet, pasi një sasi e madhe e parave që ato kanë shpërndarë është bllokuar në atë që quhet portofoli i pambledhur i kredive. Por për qytetarët që duan që paratë e tyre të mos i mbajnë “nën jastëk”, madje t’i mbyllin ato nëpër banka për të fituar nga interesat, me të drejtë lindin një mori pyetjesh që kërkojnë përgjigje. Të tilla janë: Sa të sigurta janë paratë e tyre në bankën ku i depozitojnë? Kush i garanton se banka nuk ka rrezik falimentimi? A janë reale ofertat për përqindjet e larta të interesave për depozita që ofrojnë bankat, apo kanë kleçka të tilla si afate shumë të gjata apo ofrohen vetëm për shuma të mëdha? Sezoni veror po arrin kulmin me oferta që reklamojnë interesa sa më të larta të depozitave. Ajo që ka bërë përshtypje gjatë sezonit veror është fakti që normat e interesit të depozitave janë rritur edhe përtej atyre që përgjithësisht pranohen si norma reference në huadhënie. Për euron, si i tillë përdoret treguesi “euribor”, që përfaqëson normën e interesit të euros në tregun ndërbankar. Ky tregues përdoret si bazë edhe në huadhënie. Përgjithësisht huat përmbajnë një normë interesi të përbërë nga euribori dhe nga norma fikse që mban banka.
Depozitat bankare, këtë vit interesat u barazuan me ato të kredive
Këtë vit për herë të parë normat e interesave të kredive dhe atyre të depozitave në banka kanë ngushtuar diferencat, madje në disa raste ato janë barazuar. Shkak për këtë ndryshim në tregun bankar ka qenë konkurrenca e fortë e bankave për të tërhequr prurjet e emigrantëve. Gjatë periudhës së verës hyjnë në Shqipëri me shumë se, 700 milionë euro në formën e prurjeve nga emigrantët. Kështu bankat gjatë këtij sezoni paraqiten oferta ekstra për kategori, të cilat synuan në rritjen e normave të interesave për depozitat dhe ulje të normave të interesit për kreditë. Interesat e depozitave në lekë për afatin 12 mujor janë nga 6- 9 për qind në varësi të bankave dhe shumave, nga më pak se 5 për qind që kanë qenë 1 vit më parë. Nga ana tjetër interesat e kredive, sidomos atyre për shtëpi nisin nga 6 për qind dhe në varësi të monedhës në të cilën merren kreditë interesi nuk e kalon 10 përqindëshin. Gjithnjë e më shumë bankat po i shohin emigrantët si një target me mjaft fitimin për aktivitetin e tyre. Ndaj dhe në sezonet kur shqiptarët që jetojnë jashtë kthehen në Shqipëri, bankat nisin ofertat joshëse. Në muajt qershor, korrik, dhjetor dhe janar promocionet e bankave janë të përqendruara thellësisht tek emigrantët. Gjatë këtyre periudhave bankat ofrojnë paketa ekstra. P.sh. për të gjithë ata që hapin një depozitë të re nga dhjetori në janar, do të përfitojnë interesa më të larta. Po kështu gjatë kësaj periudhe bankat ofrojnë më shumë lehtësira për emigrantët që duan të marrin kredi. Ndërsa disa banka shtojnë orët e punës si një mundësi për të ofruar shërbime jashtë orareve të zakonshme si një mënyrë tjetër për të "ndjellë" emigrantët. Oferta joshëse të bankave kanë bërë shumë nga emigrantët t'i ruajnë kursimet e tyre në Shqipëri për shkak se, interesi i depozitave që ofrohet është disa herë më i lartë se, i vendeve nga ato vijnë.
“Kleçkat” me ofertat e bankave për depozitat e kursimeve
Në pamje të parë, normat e interesit janë shumë tërheqëse dhe për ata që i kanë ende kursimet në shtëpi joshja për t’i depozituar në bankë është e fortë. Megjithatë, edhe në këtë rast duhet pasur parasysh se reklamat e bankave nuk japin informacion të plotë për kushtet e ofertave. Jo gjithnjë në reklama saktësohen disa hollësi të rëndësishme, si p.sh. afati i depozitës për të cilën ofrohen norma të larta interesi, apo shuma minimale që duhet depozituar për të përfituar nga interesat e larta. Një bankë private në reklamën e saj ofron norma interesi që shkojnë deri 10.5 për qind për depozitat në lekë. Por në reklamë nuk duket shumë qartë afati i depozitës. Në fakt, kjo normë interesi është e vlefshme vetëm për interesat 7 vjeçare në lekë, përveçse për shuma mbi 250 mijë lekë. Për depozitat standarde një vjeçare, norma e interesit që kjo bankë ofron është 7.5 për qind në vit. Gjithashtu edhe një bankë tjetër private gjatë sezonit veror ofron norma interesi më të larta për depozitat. Për depozitat 1-vjeçare në lekë norma e interesit të ofruar është 10 për qind, ndërsa për depozitat 1-vjeçare në euro ofrohet një normë interesi 6 për qind. Por edhe në këtë rast ka një kusht, që është shuma minimale e depozitës. Që klienti të përfitojë nga këto interesa duhet të depozitojë shuma më të mëdha se 2 mijë euro ose 250 mijë lekë.
Për depozitat 1-vjeçare në lekë, një tjetër bankë ofron normë interesi 7.5 për qind për shumat deri në 1 milion lekë dhe 7.8 për qind për shumat nga 1 deri në 8 milion lekë.
Depozitat bankare në lekë me leverdi prej interesit të lartë
Normat e interesit nuk janë të larta vetëm për depozitat në euro apo dollarë, por edhe në monedhën vendase Lek. Në nivele akoma më të larta kanë shkuar normat e interesit të depozitave në lekë, që kanë arritur deri në 10.5-11 për qind. Edhe kjo përqindje interesi është më e lartë se e ashtuquajtura normë e referencës në huadhënie, që është interesi i Bonove të Thesarit me maturim 1-vjeçar. Norma e interesit për Bonot 1-vjeçare aktualisht është rreth 8.2 për qind. Sipas ekspertëve bankarë, kjo rritje e normave të interesit të depozitave po ndodh për shkak të rritjes së huadhënies në produkte që kanë norma interesi të larta, si p.sh. kreditë konsumatore apo paradhëniet bankare (overdraftet). Për këto produkte normat e interesit shkojnë deri në 18 për qind në vit, çka e justifikon edhe një nivel të interesit të depozitave në rreth 10 për qind apo 11 për qind.
28 Gusht 2008