Kule: Pedagogët e publikut të paguhen si në privat
Autonomia financiare universitare nuk u shërben vetëm godinave, infrastrukturës apo realizimin e gjithfarëlloj investimeve të tjera. Autonomia financiare e institucioneve në arsimin e lartë u shërben edhe pedagogëve për vlerësimin e punës së tyre në auditorët e universiteteve. Ndërsa rektori i Universitetit të Vlorës ka nisur pak ditë më parë në Kryeministri një peticion, ku i kërkon rritjen e pagës së pedagogëve që aktualisht japin mësim në Universitetin e Vlorës. Nga ana tjetër, Universiteti i Tiranës për një kohë të gjatë ka kërkuar autonomi universitare për sa u përket financave. Kreu i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka sqaruar se në rast se profesorëve u paguhen orët suplementare në mënyrën e duhur, atëherë edhe pagesa e tyre rritet në bazë të punës, performancës dhe eficensës në punë. Kreu i UT-së ka kërkuar vlerësimin e profesorëve, në mënyrë që pagesa e tyre të jetë e njëjtë si në universitetet private. E në rastin se pagesat e orëve suplementare arrijnë të jepen në masën 100 për qind, atëherë pagesat e pedagogëve në universitete janë edhe më të mira se në institucionet private.
Kërkesa për rritjePlot 144 pedagogë, të cilët japin mësim në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, kanë nënshkruar një peticion, i cili tashmë ka mbërritur në postën zyrtare dhe elektronike të Kryeministrit të vendit Sali Berisha. Qëllimi i këtij peticioni lidhet me pagesat në bazë të performancës dhe punës së secilit gjatë vitit akademik. “Me fondet e sotme të brendshme të universitetit ne mund të përballojmë një dyfishim të rrogave të stafit tonë. Kostoja e një studenti në UV është rreth 25% e kostos së studentit në universitetet e tjera shqiptare. Kjo rritje e standardit të jetesës për ne nuk do ta prekte buxhetin e shtetit. Një eksperiencë si kjo duhet përkrahur dhe nxitur për të gjitha institucionet”, sqarojnë profesorët e Vlorës.
Zgjidhjet alternativeSipas UT-së, pedagogët që punojnë në universitetet shtetërore dhe janë përfshirë edhe në leksione jashtë orarit zyrtar, pra kanë pasur shtim ngarkese, duhet të marrin pagë më të lartë. Deri tani orët suplementare janë paguar me 30 për qind të normës aktuale. Por duke nisur muaji nëntor i vitit të kaluar, Universiteti i Tiranës ka kërkuar që pedagogët do të paguhen për mbingarkesë në masën 100 për qind. Para mbylljes së vitit të kaluar, rektorati i Universitetit të Tiranës mori vendimin për të paguar pedagogët për mbingarkesën mësimore. “Bazuar në situatën e konstatuar për sistemin e pagës për personelin akademik efektiv të Universitetit të Tiranës, për tejkalimin e lëndës mësimore, si dhe pagesën e pedagogëve të jashtëm për ngarkesën e realizuar pas konsultimit me legjislacionin në fuqi, urdhëroj që të kryhet pagesa në masën 100 për qind për tejkalimet e ngarkesës mësimore të realizuar nga personeli akademik i Universitetit të Tiranës”, sqarohej në shkresën dërguar fakulteteve të UT-së. Sipas urdhrit, kërkohej që për pagesat efekti financiar të përballohet në masën 30 për qind nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga të ardhurat që ka Universiteti i Tiranës, të miratuara për këtë destinacion. Sakaq, sipas përfaqësuesve të Universitetit të Tiranës, duke llogaritur pagesat e profesorëve, dilet në përfundim se shumica e tyre merr të ardhura më të larta në shtet se sa në privat. Për t’u realizuar një iniciativë e tillë, si urdhri i lëshuar vitin e kaluar, universitetet kërkojnë autonomi. Në këtë mënyrë, ata planifikojnë sipas kërkesave taksat, apo vlerat e pagesave për akumulimin e të ardhurave dytësore të universitetit, që më pas do të shpërndahen për shpërblesat e pedagogëve.
#