Shpërblimet burojnë prej autonomisë universitare
“Kërkesa e pedagogëve të Universitetit të Vlorës drejtuar Kryeministrit Sali Berisha për dyfishimin e pagës dhe lidhjen e pagesave me performancën e punës së secilit gjatë vitit akademik është një kërkesë e hershme e stafeve akademike që lidhet drejtpërdrejt dhe parimisht me pavarësinë ekonomike dhe decentralizimin në përgjithësi të universiteteve publike”. Kjo ka qenë deklarata e Lavdi Hasanit, ish-rektor i Universitetit “Eqrem çabej” të Gjirokastrës pas njohjes së peticionit të profesoratit të Universitetit të Vlorës.
Sipas tij, për sa i përket kërkesës për dyfishim apo ndonjë masë tjetër për rritjen e pagave të pedagogëve, për këtë duhen përllogaritje, por parimisht mund të them se rritja e masës së shpërblimit, duke u nisur nga niveli i të ardhurave dhe performanca në punë krijon motivacion dhe ndikon në rritjen e efektivitetin në punë të pedagogëve. Ish-rektori i Universitetit publik të Gjirokastrës vlerëson si primare reformën decentralizuese, ndërsa problemet e rritjes së pagave dhe shpërblimeve si një çështje që buron nga rritja e shkallës së decentralizimit të universiteteve. “çështja kyçe në këtë kërkesë nuk qëndron thjesht te rritja dhe dyfishimi i pagës së pedagogëve apo te dhënia e shërbimeve shtesë, por te rritja e shkallës së decentralizimit në përgjithësi, që sjell pastaj pavarësinë ekonomike të universiteteve publike”, theksoi ai.
Sipas tij, aktualisht pedagogët mund të përfitojnë vetëm një pagë shtesë për performancë dhe deri 40% të pagës bazë si shpërblim për orët mbi normën mësimore, ndërkohë që të ardhurat e krijuara nga vetë universiteti shpërndahen sipas një skeme, ku pjesën më të madhe e thith Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
“Parimisht përkrah kërkesën e kolegëve të Vlorës, por për mendimin tim asnjë kërkesë e pjesshme nuk mund të jetë e realizueshme pa një reformë të plotë të fokusuar në decentralizimin dhe autonominë e universiteteve dhe kjo kërkon hapjen e një debati mbi një reformë rrënjësore të arsimit në vend”, sqaroi ish-rektori. Sipas tij, produktet e arsimit kanë efekte afatgjata dhe prekin çdokënd, prandaj ajo që kërkohet duhet të jetë një reformë që të përfshijë gjithë grupet e interesit për t’u konkretizuar me një ligj që do të rrisë frymëmarrjen dhe autonominë e universiteteve.
#