E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuliçi: Kam dëgjuar se masakrën e organizoi Met Bozi

MASAKRA CËRRIKU
Ish- Shefi i Komisariatit të Elbasanit, tha dje në proces se nuk e dinte kush e plagosi gjatë përplasjes me armë në Cërrik

TIRANË- Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi, një nga 16 të plagosurit e ngjarjes së njohur si "Masakra e Cërrikut", ku u vranë edhe 6 gardistë, dëshmoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, gjatë procesit në ngarkim të akuzuarve të kësaj ngjarjeje.


I veshur civil, me një qëndrim prej ushtaraku, Kuliçi u përball për herë të parë me të pandehurit, që sipas prokurorisë, organizuan sulmin me armë ndaj efektivëve të Gardës dhe Policisë. Këta të fundit, sipas akuzës, shkuan në Cërrik për të vënë në funksionim postën e Policisë e djegur një ditë më parë.


Sipas tij, pas ngjarjes kishte marrë vesh se sulmi ishte kryer nga grupi i Land (Roland) Xhepexhiut që është organizuar nga Meti Bozi. "Nga informacionet e marra në burime të ndryshme kam mësuar që ishte grupi i Land Xhepexhiut. Ky grup dyshohej edhe për vepra të tjera penale si vrasje, grabitje.


Kam dëgjuar që Meti Bozi ishte organizatori i këtij sulmi"-tha Kuliçi. Gjithashtu, zv/drejtori sqaroi se kishte pak ditë që ishte emëruar shef i komisariatit të Elbasanit dhe kishte marrë informacionin se ishte sulmuar dhe djegur posta e Policisë së Cërrikut.


"Bisedova me ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, z.Agim Shehun, të cilit i shpjegova situatën në Elbasan dhe djegien e postës në Cërrik dhe i kërkova prezencën e forcave të ndërhyrjes së shpejtë për të qetësuar gjendjen në Cërrik. Të nesërmen e bisedë, me datë 22 maj, erdhën disa mjete të blinduara të Gardës së Republikës me efektivë të saj"- tha Kuliçi.


Ai shtoi se kishte planifikuar me shefin e grupit të Gardës z.Arjan Cenga, që të niseshin më 23 maj në mëngjes drejt Cërrikut për të qetësuar gjendjen. "Në mëngjes u nisëm drejt Cërrikut dhe Belshit pasi do grumbullonim municione...kemi hyrë në qendër të Cërrikut dhe kishim vetëm armët personale" Kuliçi tha se ishte në mjetin e dytë në radhë, bashkë me tre persona në blind. "Njëri prej tyre mora vesh pas 2-3 muajsh pas ngjarjes që ishte vrarë.


U futëm në qytet nuk pati asnjë reagim, u vendosëm përpara shtëpisë së kulturës. Pas hyrjes në qendër ka filluar një breshëri automatikësh dhe nga ndërtesa përballë u godit një blind me automatik. Këtë e kam parë vetë.


Pas kësaj unë jam plagosur dhe jam dërguar në spital. Unë kam parë kur u qëllua me automatik dhe kam dëgjuar edhe 2 herë"-tha Kuliçi, duke shtuar se do kishte dëshirë të dinte se kush e kishte plagosur atë ditë. Më pas seanca ka vazhduar me dy pyetje të Meti Bozit drejtuar Kuliçit dhe seanca u ndërpre për shkak se nuk ishin paraqitur dëshmitarë të tjerë për të vazhduar të martën e ardhshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›