E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më 5 qershor mbahet Testi i Maturës

Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës pret që rreth 30 mijë maturantë t’i nënshtrohen provimit të maturës, i cili do të mbahet më 5 qershor.

Paraqitja e këtij provimi ka filluar që nga 3 maji dhe përfundon më 27 maj.

Kryetari i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, Nehat Mustafa, tha se përgatitja e pyetjeve për testin e maturës është në fazën përfundimtare dhe për dallim nga viti i kaluar, këtë vit ai do t’i ketë katër teste. “Pyetjet janë duke marrë formën përfundimtare të përpiluara nga ekspertë të lëmive përkatëse dhe në të njëjtën kohë të koordinuara nga divizioni për standarde vlerësim monitorim. Deri më tani planin dinamik e kemi realizuar 100 për qind, që do të thotë kemi qenë më të shpejtë se që e kemi planifikuar”.

Mustafa pret që sivjet të ketë rezultate më të mira, pasi, sipas tij, përveç përgatitjeve me kohë nga ana e ministrisë, është vërejtur edhe një mobilizim i madh nga ana e shkollave, nxënësve, mësimdhënësve, por edhe nga ana e prindërve.

Ndërkohë, edhe në shkollat e mesme janë bërë përgatitjet e duhura. Azem Jaha, drejtor i gjimnazit “Xhevdet Doda”, tha se përgatitjet për provimin e maturës janë në përfundim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›