Kultura e besimit

Sado ironike tingëllon, unë arrij ti kuptoj psherëtimat plot zhgënjim për humbjen e zgjedhjeve, kryesisht për shkak të pjesëmarrjes së ultë të elektoratit të djathtë në zgjedhje. Si shpjegohet kjo?
Nga Dr. Vehbi Miftari
Një rishikim i procesit të kaluar, përpara se të hyhet në përgatitjet për procesin e ardhshëm zgjedhor, është gjithëherë i nevojshëm. Ai bëhet i domosdoshëm sidomos nëse konsiderojmë, ta zëmë, se në procesin e kaluar pjesëmarrja e qytetarëve tanë në zgjedhje ka qenë jashtëzakonisht e vogël dhe nëse mobilizimi i tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme është sfidë po kaq e madhe sa edhe konkurrimi përballë rivalëve politikë. Ky shkrim, prandaj, nuk synon të analizojë zgjedhjet e vitit 2007, por të ritheksojë kulturën e besimit si parakusht për motivimin e qytetarëve tanë për të marrë pjesë në proces.
Çfarë nënkuptohet këtu me kulturë besimi dhe pse po e nënvizojmë në mënyrë të veçantë?
Le të nisemi nga premisat që i ofron procesi i fundit zgjedhor. Lidhja Demokratike e Kosovës, ta zëmë, si subjekt i cili bart një koncept demokratik konservativ të tipit evropian, që e afirmon traditën, familjen etj... dhe si parti e cila kulturën e besimit e ka të trashëguar si vlerë identitare të saj, në zgjedhjet e fundit tregoi një performancë jo shumë deinjitoze për të, e cila ia parashkroi edhe rezultatin në zgjedhje. Kjo ndërlidhet pashmagshëm me një vistër faktorësh, por nuk duhet të ndërlidhet domosdo vetëm me humbjen e liderit të saj historik, dr. Rugovës, as vetëm për shkak të kuvendit të gjashtë, ose për shkak të copëzimit që e pasoi atë, por më shumë, madje për shkak të shkëputjes së thellë të komunikimit mes strukturave udhëheqëse dhe anëtarëve e simpatizantëve të saj. Kjo shkëputje ka ndikuar në zbehjen e besimit në vlerat e përbashkëta dhe, rrjedhimisht, në demotivimin e votuesve tradicionalë për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike, atë të votës, me të cilën do të mund të vendoste vetë për të ardhmen politike dhe për kualitetin e procesit, duke përfshirë edhe nivelin e përfaqësimit politik.
Sado ironike tingëllon, unë arrij ti kuptoj psherëtimat plot zhgënjim për humbjen e zgjedhjeve, kryesisht për shkak të pjesëmarrjes së ultë të elektoratit të djathtë në zgjedhje.
Si shpjegohet kjo?
Duke qenë se LDK-ja tradicionalisht ka reflektuar kulturë besimi dhe lidhje të fuqishme strukturore, është krejtësisht e qartë se shkëputja mes hallkave organike brenda kësaj strukture e ka zbehur dukshëm edhe vetë kulturën e besimit, të kultivuar nga dr. Rugova dhe si rezultat i këtij dekurajimi si gjithnjë në këso rastesh kemi përjetuar një abstinencë të theksuar politike. Është, prandaj, momenti që ta rikujtojmë edhe një herë atë që dihet tashmë botërisht, se fuqia e një subjekti politik nuk buron nga përqendrimi i fuqisë në strukturat vendimmarrëse politike, por mbi të gjitha në motivimin e anëtarëve dhe të simpatizantëve për të qenë pjesëmarrës në vendimmarrje. Kjo është e mundshme nëse krijojmë një mentalitet konvergjues idesh, nëse e përmirësojmë cilësinë dhe modelin e organizimit të fuqisë politike, si dhe në kultivimin e besimit në vlerat e përbashkëta.
Përpara se të shkohet në procesin e ardhshëm zgjedhor, liderë të partive politike, lidershipi dhe strukturat udhëheqëse të tyre, është mirë të shikojnë të kaluarën e subjektit të tyre dhe ta kërkojnë drejtpeshimin politik në nivelin e besimit në vlerat e përbashkëta, në kultivimin e kulturës së brendshme politike, si dhe në përkushtimin për vlera përfaqësuese. Një listë zgjedhore kualitative duhet ta pasojë përzgjedhjen po kaq me kujdes të kandidatëve për kryetarë komunash. Sidoqoftë, zgjedhjet e ardhshme do ta demonstrojnë testin e fuqisë së tyre vepruese brenda subjekteve politike ë i përfaqësojnë.
Për elektoratin e djathtë, ose për numrin e jashtëzakonshëm të njerëzve të cilët unë qartësisht i identifikoj si elektorat rugovian, jo vetëm pse e kanë përkrahur presidentin e tyre historik, duke e votuar e rivotuar vazhdimisht atë, por pse e kanë dashur dhe kanë besuar në vlerat të cilat ai i promovonte vazhdimisht, pra jo për shkak të empirisë, por për shkak të filozofisë, për këtë elektorat, pra, mbështetja në vlerat intelektuale ka krijuar kulture besimi, e cila e ka shtyrë atë drejt ruajtjes së motivimit për proceset zgjedhore. Prandaj, sot kur vetëm mund ta kujtojmë krenarinë tonë, është e domosdoshme që krahas kërkesës për një program të djathtë politik, i cili kulturën familjare dhe modelin kulturor të traditës e shndërron në premisë për platformë programore, ai ta gjejë edhe hapësirën e tij demokratike në të drejtën për të qenë i motivuar politikisht për procesin e vendimmarrjes.
Sfidë, prandaj, mbetet: si të motivohet elektorati i djathtë për të qenë pjesë aktive në procesin e ardhshëm zgjedhor?
Para së gjithash duke ofruar gatishmëri për hartimin e një programi politik i cili këtë kulturë të tij e kornizon brenda platformës zgjedhore, duke e kultivuar një nivel përfaqësimi në listat zgjedhore i cili bërthamën tradicionale të LDK-së, ose bërthamën intelektuale-kulturore të saj e shndërron në vlerë përfaqësimi; duke e garantuar ripërtëritjen e besimit në vlerat e përbashkëta; duke krijuar hapësirën e nevojshme për pjesëmarrje aktive në procesin e vendimmarrjes për qytetarin, si dhe duke provuar që ta bind secilin qytetar se të përzgjedhurit politikë, në veçanti ata që dalin si të përzgjedhur nga LDK-ja, si bartës të konceptit të saj dhe si pjesë të strukturave udhëheqëse politike, duhet ta dëgjojne zërin elitar përmes të cilit artikulohet politikisht interesi qytetar.... Pa këtë dimension, i cili e trajton qytetarin si pjesë të rëndësishme të vendimmarrjes, pa përfshirjen e tij aktive në hartimin e politikave programore, si dhe pa krijimin e kulturës së besimit të plotë mes tij dhe strukturave udhëheqëse, nuk mund të paramendohet një qytetar i motivuar plotësisht për të marrë pjesë aktive në zgjedhje.
Rimotivimi i elektoratit është esencial për procesin e ardhshhëm zgjedhor. Mbase, është koha që ta kthejmë edhe një here kokën prapa dhe ta kërkojmë rishtas veten në pikturën gri të vitit 2007...
(*) Autori është shef i Departamentit të Komunikimit në LDK. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë krejtësisht personale
var _JOOMLACOMMENT_MSG_DELETE = "Are you sure you want to delete this comment?"; var _JOOMLACOMMENT_MSG_DELETEALL = "Are you sure you want to delete all comments?"; var _JOOMLACOMMENT_WRITECOMMENT = "Shkruaj nje koment"; var _JOOMLACOMMENT_SENDFORM = "Posto"; var _JOOMLACOMMENT_EDITCOMMENT = "Edit comment"; var _JOOMLACOMMENT_EDIT = "Edit"; var _JOOMLACOMMENT_FORMVALIDATE = "Ju lutemi shkruani ne hapesiren e komentit"; var _JOOMLACOMMENT_FORMVALIDATE_CAPTCHA = "Ju lutemi shkruani kodin anti-spam qe shihni ne imazh"; var _JOOMLACOMMENT_FORMVALIDATE_CAPTCHA_FAILED = "Kodi anti-spam u shkrua gabim. Ju lutemi shkruani kodin anti-spam qe shihni ne imazh"; var _JOOMLACOMMENT_FORMVALIDATE_EMAIL = "To be notified, please enter your email"; var _JOOMLACOMMENT_ANONYMOUS = "Anonymous"; var _JOOMLACOMMENT_BEFORE_APPROVAL = "Your comment has been queued for moderation by site administrators and will be published after approval."; var _JOOMLACOMMENT_REQUEST_ERROR = "Request failed"; var _JOOMLACOMMENT_MSG_NEEDREFRESH = ""; jQuery.noConflict(); Komente Shto komentin tend jQuery(document).ready(function(){ jQuery("a.JOSCJQstretchertoogleFORM").click( function(){ jQuery("#JOSCJQstretcherFORM").slideToggle(500); return false; } ); }); Shkruaj nje koment Emri: Email: (jo