E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kultura pajton hasmëritë

Komunikimi kulturor është forma më e mirë për t’i thyer barrierat politike, të cilat i kanë hasmëruar në mes vete popujt e hapësirës ballkanike, është porosia e pjesëmarrësve të programit “Politikat e reja të solidaritetit”. Nga Express më 19 prill 2011 në ora 09:50

Në Prishtinë janë mbajtur takimet e artistëve që përfaqësohen nga organizatat e Prishtinës, Beogradit dhe Tuzllës. Këto takime janë mbajtur në kuadër të programit “Politikat e reja të solidaritetit”. Përfaqësuesit e këtyre qendrave kanë tnënë se qëllimi i takimeve është krijimi i perspektivave të reja dhe, nëpërmjet kulturës, thyerja e barrierave politike që ekzistojnë mes popujve.

Përkujtimi i së kaluarës dhe shikimi drejt së ardhmes ishin forma të programit të ashtuquajtur “Politikat e reja të solidaritetit”, program i cili ka bashkuar artistët nga Kosova, Serbia dhe Bosnja.

Në kuadër të këtij programi, takimet e artistëve janë zhvilluar në Prishtinë, nën organizimin e Qendrës Multimedia, si partnere e këtij programi.

Dramaturgu Jeton Neziraj, drejtues i Qendrës Multimedia, thotë se qëllimi i këtij programi dhe i këtyre takimeve është krijimi i perspektivës për të ardhmen.

“Ky është një program më i gjerë që quhet ‘Politikat e solidaritetit’ përmes prodhimtarisë kulturore dhe prodhimtarisë së dijes, që ka filluar që të zbatohet nga tre partnerë kryesorë: Qendra për Dekontaminim Kulturor në Beograd, Grad Tuzlla prej Tuzllës së Bosnjë e Hercegovinës dhe Qendra Multimedia nga Prishtina. Do të thotë, është një lloj tentative, në mënyrë që të provojmë të krijojmë një perspektivë tjetër për të ardhmen”, ka thënë Neziraj për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, Borka Pavicevic, dramaturge dhe drejtuese e Qendrës për Dekontaminim Kulturor në Beograd, ka thënë se pas shkatërrimeve që sollën luftërat e viteve ‘90 në ish-Jugosllavi, qëllimi i qendrës që ajo drejton është bashkëpunimi me njerëz që bartin të njëjtën ide, pavarësisht se ku jetojnë ata, në shtetet e sapokrijuara pas luftërave.

“Qëllimi i projekteve të tilla është që të fabrikojnë, të prodhojnë disa ide, se si ne mund të jetojmë relativisht së bashku, se si ne mund të punojmë diçka së bashku, pa e pasur të përcaktuar se çka do të punojmë. Në këtë kuptim, projekti është autorial”, ka shpjeguar ajo.

Azra Çausevic, koordinatore e Qendrës nga qyteti i Tuzllës, ka thënë se projekti është shumë i rëndësishëm për faktin se u jep një rast gjeneratave të reja dhe zërave të tyre.

“Është e nevojshme që të ridefinohen përvojat, nëpër të cilat të gjithë ne kemi kaluar, në njërën apo tjetrën mënyrë. Do të thotë, qoftë përmes artit, përmes kulturës ose përmes çfarëdo forme tjetër të produksionit material, të themi se ku jemi sot, në raport me atë që ka ndodhur më parë”.

Në kuadër të programit “Politikat e reja të solidaritetit”, të tri grupet kanë ofruar forma të ndryshme të të shprehurit artistik. Në këtë kuadër, janë dhënë shfaqje teatrore, janë lexuar ese, janë promovuar antologjitë e letërsisë “Nga Beogradi me dashuri” dhe “Nga Prishtina me dashuri”, si dhe janë organizuar një varg aktivitetesh tjera kulturore.

Drejtuesit e qendrave që kanë marrë pjesë në këto takime kanë vlerësuar se komunikimi kulturor është forma më e mirë për t’i thyer barrierat politike, të cilat i kanë hasmëruar në mes vete popujt e hapësirës ballkanike.

“Ky është roli që i takon kulturës dhe roli që, praktikisht, politika për një kohë të gjatë ia ka uzurpuar kulturës. Mendoj që kjo është e drejtë legjitime që kultura ta fillojë atë dialogun përtej atyre barrierave politike që mund të ekzistojnë”, ka theksuar Jeton Neziraj.

Edhe Borka Pavicevic ka pohuar se barrierat duhet tejkaluar.

“Ato barriera mund të tejkalohen nëse mund të ketë sadopak vetëdije në marrëzinë e përgjithshme, nëse do të ketë sadopak ndershmëri në gjithë këtë plaçkitje, nëse mund të ketë sadopak të vërtetë në këtë gënjeshtër të përgjithshme, nëse do të ketë pak njerëzi brenda bashkësive dhe nëse do të munden njerëzit të bëjnë që të mbetemi normalë”, pohon Paviçeviq.

Ndërkaq, Azra Çausevic ka thënë se takimet e artistëve dhe shkëmbimet kulturore janë në funksion të thyerjes së barrierave politike.

“Pikërisht ky edhe është qëllimi i këtij projekti, por jo vetëm tejkalimi i barrierave politike, por edhe gjetja e përvojave të përbashkëta dhe gjuhës së përbashkët. Në këtë kuptim, përmes asaj që ka qenë e keqe dhe tragjike, ne i nxjerrim lidhjet e reja të solidaritetit”.

Takimet në Prishtinë të artistëve nga Kosova, Serbia dhe Bosnja, në kuadër të programit “Politikat e reja të solidaritetit”, kanë zgjatur deri më 17 prill. Takime të ngjashme, të këtyre qendrave, pritet të realizohen gjatë këtij viti edhe në Beograd dhe Tuzëll.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›