“Amnesty”, tre çmime në Lecce
Pas Berlinales, filmi “Amnesty” i Bujar Alimanit fiton tre çmime në Festivalin Evropian të Filmit në Lecce (Itali).
Në edicionin XII të këtij festivali, filmi i Alimanit, që ende nuk ka pasur premierën për publikun shqiptar, fitoi çmimin Cineuropa 2011, çmimin Fipresci - të Konfederatës Ndërkombëtare të Kritikëve të Kinemasë, dhe çmimin special të jurisë.
Pjesë e programit të festivalit të mbajtur mes 12 dhe 16 prillit ishin filmat e metrazhit të gjatë, si dhe aktivitetet kushtuar kineastëve të njohur italianë. “Amnesty” ishte në konkurrencë me nëntë filma tjerë evropianë, të cilët ende nuk janë shfaqur në vendet e tyre të origjinës.
Ndryshe, filmi i Alimanit inspirohet nga një temë e sotme. Në njërën anë është një dashuri e lindur në dyert e burgut, e në tjetrën përplasja e mentaliteteve ndërmjet brezave të ndryshëm të shoqërisë shqiptare.