Kumanova me teatër shqip
Muaji dhjetor ishte muaj i festës për artdashësit e Kumanovës. Në kuadër të Shtëpisë së Kulturës në Maqedoni, do të themelohet teatri shqip në Kumanovë, një vendim ky i shumëpritur nga qytetarët e Kumanovës, ndonëse aktivitetet nuk janë ndalur, të organizuara në forma të ndryshme.
Në edicionin e pestë të “Ditëve të kulturës shqiptare”, i cili këtë herë u mbajt në Kumanovë, në kuadër të aktiviteteve, u dha shfaqja “Kufomat e gjalla”, numri i artdashësve kaloi kufirin, ndërsa ndër të pranishmit ishte edhe Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, i cili tha se në kuadër të projekteve të themeluara kohën e fundit në Maqedoni, me vendimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, do të themelohet edhe Teatri Shqip në Kumanovë. Ky fakt e gëzoi jo pak komunitetin artistik të Kumanovës.
Sipas drejtuesit të festivalit “ Ditët e kulturës shqiptare”, Avni Dalipi, Kumanova
këto ditë kishte një festë shumë të madhe.
“Duke filluar nga ky vit me edicionin e pestë të “Ditëve të kulturës shqiptare” filluam nga Kumanova, ku në Kumanovë përpos aktiviteteve tjera të zakonshme patëm edhe një të veçantë që ishte prezantimi i shfaqjes së suksesshme “Kufomat e gjalla” ku e veçanta e kësaj mbrëmje ishte pikërisht një akt shumë solemn, shumë i dashur besoj për të gjithë artdashësit shqiptarë sepse u bë publik vendimi për realizmin e një ëndrre të kamotshme të të gjithë artistëve dhe artdashësve, u njoftuam me vendimin e Qeverisë për hapjen e dramës shqipe në kuadër të Teatrit maqedon në Kumanovë”, tha Dalipi.
Këtë vit “Ditët e kulturës shqiptare” ishin në Kumanovë, mirëpo, sipas Dalipit, ky manifestim çdo vit ka ndryshime, ndërsa e veçanta e këtij viti ishte fillimi i një varianti të ri, shëtitjen nëpër qytete. “Filluam me Kumanovën, ndërsa vitin e ardhshëm bordi do të vendos se a do të jemi në Manastir apo diku tjetër”.
Tradita e këtij festivali është që të fillojë në një datë të veçantë dhe të mbyllet në një datë po aq të veçantë dhe të rëndësishme. “Ditët e kulturës shqiptare” fillon me 22 -28 nëntor. “Nga ky vit me kërkesën e artdashësve, manifestimi që tashmë ka marrë formën e vet ka mundësi që të shtyhet edhe për disa ditë, ngaqë kështu artdashësit mund t’i përcjellin të gjitha aktivitetet”, u shpreh Dalipi.
Sipas Dalipit, ky festival, duke filluar nga edicioni i parë, kishte shikueshmëri të madhe, ndërsa kjo shikueshmëri, është rritur edhe më pas lajmit të fundit, në edicionin e pestë. “Pas bërjes publike të këtij lajmi është evidente që në të gjitha aktivitetet, siç ishte takimi me poezinë, nuk kishim hapësirë për t’i pranuar të gjithë ata që dëshironin të ishin pjesë e këtij aktiviteti, por edhe aktivitetet tjera. Sigurisht që pas këtij lajmi këto aktivitete filluan të konsiderohen si një vepër kombëtare si një festë e madhe në Kumanovë”, tha Dalipi.