Kumbaro: 146 milionë euro për arsimin e lartë, prioritet ndërkombëtarizimi dhe infrastruktura

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Gjatë prezantimit të projektbuxhetit për Arsimin 2026, sot, në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, ministrja Mirela Kumbaro nënvizoi se 146 milionë euro janë planifikuar të financohen për programin e arsimit të lartë dhe atë të shkencës.
Duke folur për prioritetet e arsimit të lartë dhe kërkimin shkencor, Kumbaro tha se “këto prioritete përfshijnë: Ndërkombëtarizimin dhe integrimin evropian: zbatimin e standardeve të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA); hapjen e kampuseve të universiteteve prestigjioze ndërkombëtare dhe programe të përbashkëta me diploma të dyfishta; Cilësinë akademike ku përfshihet rritja e investimeve në mësimdhënie, laboratorë kërkimorë dhe infrastruktura moderne universitare; forcimi i integritetit akademik, transparencës dhe llogaridhënies; Mbështetjen e studentëve: bursat për studentët ekselentë dhe për ata me vështirësi sociale, reduktimi i tarifave të studimit, mbështetja për programet prioritare dhe promovimi i mobilitetit studentor si edhe digjitalizimi dhe inovacioni institucional: investime në infrastrukturën e TIK-ut dhe shërbime digjitale për institucionet publike të arsimit të lartë”.
Për vitin 2026, vijoi Kumbaro, programi i arsimit të lartë dhe programi i shkencës, financohen në vlerën totale 146 milionë euro.
“Këtu nuk janë përfshirë të ardhurat e vetë universiteteve publike që për vitin 2026 përllogariten rreth 39 milionë euro, duke e rritur financimin për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në vlerën 185 milionë euro”, tha ministrja Kumbaro.
Kumbaro bëri të ditur se për vitin 2026, në fondin e investimeve për përmirësimin e infrastrukturës së IAL-ve publike dhe kërkimin shkencor janë parashikuar 18,3 milion euro.
“Nga ky fond i parashikuar do të financohen me përparësi projektet për rindërtimin e godinës së Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, rikonstruksionin e ndërtesës së Fakultetit të Gjeologji-Miniera dhe ndërtimin e Muzeut të Gjeologjisë, financimi i projektit “Ndërtimi i godinës së Fakultetit të studimeve profesionale” i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, ndërtimi i fushës së futbollit dhe pistës së atletikës së Universitetit të Sporteve, ndërtimi i godinës së Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan si dhe investimi i 40 projekteve të infrastrukturës së kërkimit shkencor në IAL-të publike me vlerë 3,5 milionë euro”, tha Kumbaro.
/k.s/a.f/r.e/