E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kumbaro: Transport për 38 mijë nxënës dhe libra falas për 236 mijë në vitin 2026

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro prezantoi ditën e sotme buxhetin 2026 në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet të Kuvendit, ku theksoi se “ky buxhet ka rritje të ndjeshme të fondeve për mësuesit, për infrastrukturën shkollore, për digjitalizimin dhe lidhjen e teknologjisë me procesin e të nxënit”.

“Kam nisur detyrën time duke shkelur në territor, për të kuptuar më mirë dinamikat e sektorit dhe problematikat, e për të mos pasur një komunikim me ju vetëm përmes shkresave”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Sa i takon buxhetit të vitit 2026, Kumbaro ritheksoi se është buxheti më i lartë ndonjëherë nominal për arsimin.

“Buxheti i vitit 2026 për arsimin nuk është thjesht një dokument financiar, por një angazhim politik dhe shoqëror për të garantuar që çdo fëmijë, nxënës dhe student në Shqipëri të ketë mundësi të barabarta për arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe emancipues. Ky është buxheti më i lartë historik për arsimin shqiptar, një dëshmi konkrete e vullnetit politik për ta kthyer arsimin në prioritet kombëtar.

Kumbaro vuri në dukje se rritje të fondeve do të kemi edhe për kërkimin shkencor, ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, si dhe infrastrukturën e re për hapësirat universitare, jo më pak të rëndësishme janë zërat e buxhetit për gjithëpërfshirjen dhe mbështetjen sociale të nxënësve e studentëve.

“Ky buxhet nuk njeh thjesht shifra, por histori njerëzore: historinë e mësuesit që paguhet më mirë, që kualifikohet dhe përditësohet me kurrikula e metoda mësimdhënieje të reja; të nxënësit që mëson në shkolla të rindërtuara ose krejt të reja dhe të pajisura me mjete motivuese; të studentit që ka akses në laboratorë dhe në programe që synojnë ndërkombëtarizmin; të prindit që sheh fëmijën të rritet në një mjedis arsimor më të drejtë dhe më të sigurt. Në një kohë kur ekonomia po rritet dhe kërkesat e tregut të punës po ndryshojnë me shpejtësi, arsimi është ura jonë drejt së ardhmes. Buxheti i vitit 2026 është projektuar për të forcuar këtë urë duke lidhur dijen me inovacionin, shkollën me komunitetin dhe arsimin me zhvillimin ekonomik e social të vendit”, u shpreh Kumbaro në lidhje me buxhetin e arsimit për vitin 2026.

Kumbaro bëri të ditur se “projektbuxheti i vitit 2026 për Ministrinë e Arsimit është planifikuar në shumën 64 miliardë e 865 milionë lekë ose 648,6 milionë euro, me një shtesë prej 2 miliardë e 845 milionë lekë (28,4 milionë euro) ndaj buxhetit fillestar të vitit 2025, ose një rritje prej 4,6% më shumë se buxheti fillestar i vitit 2025. Ky është buxheti më i lartë historik nominal për arsimin. Por është e rëndësishme të themi se Sektori i Arsimit mbështetet edhe nga aktorë të tjerë, duke e rritur ndjeshëm financimin real. Në total, këto fonde të injektuara së bashku me buxhetin e Ministrisë së Arsimit për vitin 2026 arrijnë vlerën rreth 90 miliardë lekë, ose mbi 900 milionë euro, duke e rritur peshën e sektorit në: 10,1% të shpenzimeve publike”, u shpreh Kumbaro.

Në lidhje me rritjen e pagave, Kumbaro tha se “edhe në vitin 2026 do të vijojë rritja e pagave për te gjithë punonjësit duke ndjekur një politikë të re pagash, që e kombinuar me rritjen e pagës minimale, i shton gati 100 milionë euro, qysh në vitin e parë 2026, shumës që mandati i katërt do të vërë në dispozicion të rritjes së fuqisë blerëse të të gjitha kategorive shoqërore, e konkretisht: 10600 punonjës shërbimi, sanitare, shoferë, teknikë, protokollistë, arkivistë, magazinierë në shkallë vendi do të përfitojë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj, ku përfshihen edhe të gjithë punonjësit mbështetës të sektorit të arsimit”.

Kumbaro informoi se për rreth 715 punonjës specialistët të administratës publike të Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të saj të varësisë, rritja do të jetë 5 mijë lekë/muaj ose 60 mijë lekë në vit.

“Ndërsa mësuesit, edhe pas rritjes së madhe të vitit të kaluar, do të përfitojnë sërish në vitin 2026 një shtesë prej 36 mijë lekë të reja në vit, ose 3 mijë lekë të reja më shumë në çdo muaj. Në kuadër të shpenzimeve të personelit/paga, krahas fondeve të përgjithshme për pagat dhe sigurimet shoqërore të punonjësve në sistemin arsimor Parauniversitar dhe aparatit të ministrisë, përfshihen edhe kategori të veçanta punonjësish që mbështesin politikat gjithëpërfshirëse dhe zhvillimin cilësor të arsimit. Konkretisht janë: Mësuesit ndihmës për fëmijët me aftësi ndryshe – numri i tyre parashikohet të arrijë në rreth 3000 në të gjithë shkollat. Punonjësit psikologë dhe psiko-socialë, Oficerët e sigurisë në shkolla, mësuesit praktikantë, koordinatorët e cilësisë dhe të karrierës të cilët janë 664 punonjës mësimorë, të cilët kryejnë rolin e koordinatorit të cilësisë dhe karrierës në arsim si edhe pagesat për orët e punës/honoraret për të gjithë punonjësit mësimorë që do të angazhohen në programet passhkollore (after school) programi Arte dhe Zeje e Sport, shkolla qendër komunitare apo projekti ekipet sportive në shkolla, i cili do të bashkëkoordinohet me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit”, nënvizoi Kumbaro.

Sa i takon krahasimit me vendet e rajonit në lidhje me buxhetin e arsimit, Kumbaro u shpreh se “nëse bëjmë një krahasim me vendet e rajonit, pjesa e buxhetit të arsimit në raport me shpenzimet publike në Shqipëri është pothuajse në të njëjtat nivele, e madje në disa raste më e lartë, me mesataren rajonale. Siç thashë, Shqipëria shpenzon 10,13% të shpenzimeve publike për arsimin, kur këto shifra i kemi 9,6% në Serbi, 9,4% në Bosnjë-Hercegovinë apo 9,1% në Malin e Zi”.

Ministrja Kumbaro tha se “përmes buxhetit mbulohet transporti për rreth 38 mijë nxënës që banojnë mbi 2 km nga shkolla dhe për rreth 12 mijë mësues që ushtrojnë detyrën në distancë mbi 5 km deri në 50 km nga vendbanimi, me një kosto 12,5 milionë euro”.

Sipas saj, në politikat e qeverisë për këtë 4-vjeçar është planifikuar që ky shërbim të centralizohet përmes një agjencie shtetërore, për të siguruar shërbim të garantuar, të sigurtë dhe me mjete të standardeve më të larta për sigurinë e nxënësve dhe mësuesve.

“Një tjetër drejtim i rëndësishëm është mbulimi i shpenzimeve për tekstet shkollore falas për rreth 236 mijë nxënës nga klasa e parë në klasën e nëntë si dhe për afro 12 mijë nxënës nga shtresat sociale në nevojë në arsimin e mesëm të lartë, me një buxhet prej 1 miliard lekë ose 10 milion euro”, sqaroi ministrja Kumbaro gjatë prezantimit të buxhetit.

Kryetari i Komisionit të Edukimit, Shkencës dhe Sportet, Luçiano Boçi u ndal tek impakti që ka ligji i ri “Për barazinë gjinore”, duke theksuar se “ligji ka ndikime të forta dhe kushtëzon paketë financiare dhe ju duhet ta dini shumë mirë. Madje në qasjen time do të doja që ai ligj të kalonte për debat si komision dhënie mendimi dhe në komisionin tonë ishte e habitshme që shërbimet e Kuvendit nuk e sollën”.

“Nëse ky ligj ndërhyn në një bosht themelor, ai është boshti i arsimit dhe edukimit. Dua të bëj debate për faktin se nuk parashikohet asnjë fond në buxhet në mënyrën si do të implementohet ky ligj në sistemin arsimor, përmbys konceptet dhe strukturën totale të edukimit të arsimit të lartë dhe kërkimi shkencor në Shqipëri. Ky ligj imponon marrjen e këtyre masave dhe nuk dëgjova asgjë në raportin e ministres në lidhje me këtë”, theksoi Boçi.

Ministria e Arsimit, vijoi Boçi, në buxhetin e saj duhej ta parashikonte, ka detyrime ligjore që ia imponon ky ligj.

“Jemi përballë një katastrofe arsimore dhe këtu nuk dëgjova asnjë shqetësim dhe asnjë fjalë. Por, së paku të jeni korrektë me veten tuaj. Fondet që do të disbursohen për gjithë këtë imponim që ka ky ligj, nga do të merren: nga kërkimi shkencor, bursat e studentëve, investimet, se këto që do t’i bëni ju, do t’i bëni, por do t’i rialokoni përgjatë vitit apo i keni të parashikuara në buxhet?”, theksoi Boçi.

Gjatë debateve për prezantimin e buxhetit 2026, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro iu përgjigj pyetjes së deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa lidhur me emërimin e Arta Dollanit në krye të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar.

Zhupa tha se sipas një investigimi të medias tregohej se konkursi ishte fiktiv, me një kandidat, i bërë në të njëjtën ditë kur Dollani kishte dhënë dorëheqjen nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Kumbaro tha se “më vjen mirë që deputetja Zhupa e përmendi që ka pasur konkurs. Konkursi bëhet fjalë për një pozicion menaxheri të njërës prej agjencive. Nëse Dollani ka qenë një menaxhere e zonja në disa nga agjencitë, kjo nuk e pengon secilin nga punonjësit e administratës publike që të mund të konkurrojë në diversifikimin, vazhdimin, ngritjen e karrierës së tyre në poste të ndryshme menaxheriale për të cilat kanë treguar se kanë aftësi në sektorë të ndryshëm”.

1 nga 4

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›