Kumbaro: 2 mijë fidanë të mbjellë së fundmi në Munellë, Rabdisht dhe Kodovjat

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Parku Natyror i Munellës, Rabdishti piktoresk dhe Kodovjati i Gramshit ishin ndalesat e radhës të aktiviteteve pyllëzuese që po zbatohen në të gjithë vendin.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro publikoi në rrjetet sociale një album fotografish nga ky aktivitet gjatë të cilit janë mbjellë rreth 2 mijë fidanë pishe të zezë, akacie dhe bliri.
“Mirënjohje për çdokënd që i bashkohet aktiviteteve të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve dhe administratave të Zonave të Mbrojtura në pasurimin e kalendarit të mbjelljeve për vitin 2025,” shkroi ministrja Kumbaro.
Rajoni i Munellës konsiderohet si pjesë e masivit të Pukë-Mirditës brenda kompleksit të rajonit të Krahinës Malore Qendrore.
Në zonën e malit të Munellës, deri më tani janë regjistruar 459 specie bimore dhe ato u përkasin 87 familjeve dhe 262 gjinive. Zona e Munellës ka katër brezat e bimësisë: shkurret dhe pyje mesdhetare; brezin e dushkut; brezin e ahut; kullotat alpine.
1 nga 12/a.f/r.e/