Kumbaro: Aplikoni në TIP4CE, kontribuoni në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri

TIRANË, 4 prill/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ftoi sot profesionistët e turizmit të aplikojnë në platformën TIP4CE, për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të turizmit në Shqipëri.
Kjo platformë sjell risi në eksperienca apo produkte turistike, por këtë herë duke zbatuar praktikat më të mira për reduktimin dhe menaxhimin e mbetjeve.
Në një postim në rrjetet sociale, Kumbaro fton për të aplikuar në TIP4CE, një platformë që, sipas saj, “shpërblen të gjithë profesionistët e turizmit që kanë një ide për të krijuar produkte turistike miqësore me mjedisin dhe që respekton ofertën e qëndrueshme”.
Nëpërmjet një procesi konkurrues, TIP4CE do të identifikojë dhe mbështesë idetë më premtuese që kombinojnë shërbimet apo produktet turistike me parimet e Ekonomisë Qarkulluese, me qëllim optimizimin e burimeve dhe minimizimin e mbetjeve.
Një juri e përbërë nga ekspertë të fushës do të vlerësojë projektet dhe idetë konkurruese.
Aplikantët e parapërzgjedhur do të përfitojnë mentorim të personalizuar gjatë gjithë fazave të konkursit, për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë për prezantimin final (Demo-Day), nga ku do të përzgjidhen idetë fituese të cilat do të financohen me deri në 15.000 euro për të realizuar idetë e tyre.
TIP4CE synon zhvillimin e eksperiencave dhe produkteve të reja turistike apo përmirësimin e kënaqësisë së turistëve, duke përfshirë elemente të ekonomisë qarkulluese në turizëm.
Gjithashtu kjo platformë ka për synim minimizimin e mbetjeve që nuk menaxhohen siç duhet, duke nxitur përdorimin të modeleve të biznesit rigjenerues dhe promovimin e përdorimit efikas të burimeve në industrinë e turizmit.
Një tjetër synim i TIP4CE është forcimi i ndërgjegjësimit për praktikat e qëndrueshme dhe mbrojtjen e mjedisit, duke forcuar bashkëpunimin midis aktorëve të industrisë për të zbatuar zgjidhje inovative dhe të qëndrueshme.
/k.s//a.f//r.e/