Zgjedhjet e 11 majit, miratohet sasia e fletëve të votimit brenda vendit

TIRANË, 4 prill /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi miratoi sot projektvendimin për miratimin e sasisë së fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qark për zgjedhësit brenda vendit, për zgjedhjet parlamentare që do të mbahet më 11 maj.
Në total sasia e fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qark për zgjedhësit brenda vendit është 3 534 792 fletëvotimi.
Sipas KQZ “parashikohet se sasia fletëve e votimit është e barabartë me numrin e zgjedhësve, duke i shtuar 2% mbi numrin e zgjedhësve”.
“KQZ dërgon në selinë e KZAZ-ve të ndara në kuti të veçanta për çdo qendër votimi veç të tjerash dhe numrin e nevojshëm të fletëve të votimit në përputhje më numrin e zgjedhësve në çdo qendër votimi së bashku me numrin shtesë të 2%. Nga përpunimi i të dhënave të listës së zgjedhësve marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për zgjedhjet e 11 majit 2025, rezulton se në Republikën e Shqipërisë numri i zgjedhësve është 3 467 972 zgjedhës, numri i KZAZ-në është 93 dhe numri i Qendrave të Votimit është 5225.
Sasia e fletëve të votimit që do të duhet të prodhohen për çdo qark për zgjedhjet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë për Kuvend datë 11 maj 2025, duke i shtuar atë të 2% mbi numrin e zgjedhësve, është 3 534 792 fletëvotimi, kjo sipas ndarjeve të qendrave të votimi bashkëlidhur me projektvendimin”, njoftoi KQZ.
Po ashtu sot u miratua edhe projektvendimi për “Për caktimin e numrit të Komisioneve të Administrimit, Numërimit dhe Vlerësimit të Votave nga Jashtë (KANVVJ) dhe Grupeve të Numërimit të Votave nga Jashtë (GNVJ)”.
Kryekomisioneri Celibashi bëri të ditur se “do ngrihet një komision i Administrimit, Numërimit dhe Vlerësimit të Votave nga Jashtë për Tiranën, për Fierin do të jetë një, për Elbasan dhe Kukës do të jetë një i përbashkët, për Durrës dhe Gjirokastër do të jetë një i përbashkët, Korçë dhe Dibër do të jetë një, për Vlorë dhe Lezhë një i përbashkët, po kështu për Shkodër dhe Beratin një.
“Sa i takon grupeve të numërimit, 10 për Tiranën, 5 për Fierin, 4+1 rezervë për Elbasan dhe Kukës, 4+1 rezervë për Durrës dhe Gjirokastër, 2+1 rezervë për Korçë dhe Dibër, 3+2 rezervë për Vlorë dhe Lezhë dhe 2+2 rezervë për Shkodër dhe Berat pra 37 në total”, tha Celibashi.
“Kur themi “rezervë”, do të ketë 4 grupe numërimi për qarkun Elbasan, 1 për qarkun Kukësit”, sqaroi KQZ.
KQZ vendosi gjithashtu të ngrejë krijimin e Komisionit të Qendrës së Votimit të Posaçme me numër 2224/01, në Institutin e Ekzekutimeve Penale në Rrogozhinë dhe autorizimin e KZAZ-së për emërimin e anëtarëve të tij, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025.
Në përfundim të shqyrtimit administrativ të kërkesës së “Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, për heqjen e menjëhershme të simboleve, stemave dhe logove jo zyrtare të PD, urdhëruam Policinë Bashkiake Korçë për heqjen e menjëhershme të materialeve propagandistike nga ambienti privat në lagjen nr. 7, Korçë.
Ndërkohë, monitoruesit e fushatës zgjedhore kanë raportuar në KQZ për shkeje të konstatuara në Bashkinë Tiranë dhe Delvinë, ndaj vendosëm: Urdhërimin e subjektit zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë” për heqjen e menjëhershme të materialeve propagandistike nga zyra zgjedhore afër afër QV-së 2114, me vendndodhje shkolla e mesme e bashkuar “Bedri Llagami”, njësia administrative Vaqarr, Tiranë; Urdhërimin e subjektit zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë” për heqjen e menjëhershme të materialeve propagandistike nga zyra zgjedhore afër KZAS-së nr. 89 me vendndodhje, në Delvinë, Qarku Vlorë.
U caktua koha e transmetimit në radiotelevizionin publik të fushatës zgjedhore të partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore. Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Koalicioni PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të kenë një minutazh kohor transmetimi të barabartë prej 90 minuta secila, përkatësisht 60 minuta në televizionin publik dhe 30 minuta në radion publike. Partia Socialdemokrate do të ketë një minutazh kohor transmetimi të barabartë prej 45 minuta, përkatësisht 30 minuta në televizionin publik dhe 15 minuta në radion publike.
Një minutazh kohor transmetimi të barabartë prej 20 minuta, përkatësisht 10 minuta në televizionin publik dhe 10 minuta në radion publike do të kenë partitë joparlamentare:
- Lëvizja Shqipëria Bëhet
- Partia Nisma Thurje
- Partia Lidhja për të Drejtat e Punëtorëve Shqiptar
- Partia Djathtas 1912
- Partia Lëvizja Bashkë
- Partia Koalicioni Euroatlantik
- Partia Mundësia
- Partia Aleanca Demokracia e Re
- Lëvizja Atdheu
- Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare
Miratuam rregullat dhe kriteret e ndarjes së hapësirave reklamuese zgjedhore në billboard dhe city lights në mënyrë të barabartë. Bashkitë, jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve, hartojnë një listë të hapësirave të lejuara për reklamat zgjedhore dhe menjëherë e publikojnë atë në faqet zyrtare përkatëse, si dhe njoftojnë subjektet zgjedhore dhe KQZ.
Sot, u plotësuan dhe vakancat e krijuara në këshillat bashkiak: Këshilli i Bashkisë Berat, me kandidatin e “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, Albion Sulaj”; Këshilli i Bashkisë Sarandë, me kandidatin e “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, Katerina Beqo”; Këshilli i Bashkisë Sarandë, me kandidatin e “Partisë Lëvizja e Legalitetit”, Kevin Alikaj”.
/r.e//a.f/