E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kumbaro: Fushatë e mbjelljeve të fidanëve të rinj në Baldushk, Fag e Shesh

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Në të gjithë vendin vijon fushata e pyllëzimit në kuadër të Vitit të Pyjeve, të shpallur nga qeveria shqiptare dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale tha se “në vijim të aktiviteteve pyllëzuese në të gjithë vendin Agjencia Kombëtare e Pyjeve me bashkinë e Tiranës dhe Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit kanë nisur fushatën e mbjelljes së fidanëve sipas një programi të mirëkoordinuar”.

“Sipas këtij programi planifikohet mbjellja e 37.500 fidanëve akacie në ekonominë pyjore Baldushk, 7.500 fidanëve akacie në ekonominë pyjore Fag, 5.000 fidanëve man në ekonominë pyjore Shesh”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro shprehu mirënjohjen për kontributin e gjithësecilit në Vitin e Pyjeve.

Gjatë çeljes së punimeve morën pjesë drejtori i përgjithshëm i AKP Artur Kala, nënkryetari i bashkisë Tiranë, Andi Seferi, drejtoresha e APR-së, Anisa Ruseti.

Aktivitetit iu bashkuan edhe studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave Pyjore.

Projektet e pyllëzimit do të vazhdojnë zbatimin gjatë sezonit të mbjelljeve dhjetor-mars.

Viti i Pyjeve është shpallur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe qeveria shqiptare si një vit me fushata pyllëzimi, por edhe edukimi dhe ndërgjegjësimi për qytetarët. Në këtë kuadër është hartuar edhe një kalendar aktivitetesh që pritet të sjellin kontribut të rëndësishëm për natyrën, jo vetëm në aksione mbjellje, por edhe në ndërgjegjësim.

1 nga 7

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›