E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kumbaro: Gryka e Këlcyrës – Ura e Dragotit një prej shtigjeve natyrore më të veçanta

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndau në rrjetet sociale një video mbresëlënëse të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për njërin prej shtigjeve natyrore më të veçanta të Qarkut Gjirokastër, siç është Gryka e Këlcyrës – Ura e Dragotit.

“Gjithçka nis nga Gryka e Këlcyrës, ku përreth 15 kilometra eksplorohen e shijohen dy parqe siç janë Parku Kombëtar i Lumit Vjosa dhe Parku Natyror i Zagorisë, për ta përfunduar shtegun në Urën e Dragotit, monument kulture, ndërtuar në vitin 1936”, shkroi ministrja Kumbaro.

Qarku Gjirokastër përmbledh në vetvete një hapësirë të gjerë bukurish natyrore si dhe objektesh me rëndësi të trashëgimisë kulturore, të cilat përbëjnë një arsye më tepër për të vizituar këtë zonë. Mes pasurive të shumta të këtij qarku renditen: rezervate natyrore të menaxhuara si Bredhi i Hotovës-Dangëlli dhe Syri i Kaltër. Gjithashtu janë edhe disa parqe kombëtare: Bredhi Sotirë, Lumi Vjosë, Zagori, Bredhi i Zhulatit, Bredhi i Kardhiqit -Rrëzoma. Po ashtu ekziston edhe një listë e gjatë me mbi 80 monumente të natyrës.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›