Meta në SPAK, pyetet për lobimin në SHBA

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta është pyetur sot për rreth dy orë nga prokurorët e SPAK, lidhur me lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një prononcim për mediet, avokati i Metës, Genc Gjokutaj dha detaje në lidhje me marrjen në pyetje të presidentit të PL-së sot në SPAK.
Gjokutaj u shpreh se çështja e vetme për të cilën është pyetur Meta ka qenë ajo e lobimit në Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, Meta është treguar shumë bashkëpunues me gjithçka që mbante mend, pasi aktet ende nuk janë vënë në dispozicion të mbrojtjes.
“Sot është pyetur vetëm sa i përket lobimit në SHBA. Meta është treguar bashkëpunues me gjithçka që mbante mend pa iu referuar akteve që do të na vihen në dispozicion”, tha ai.
Lidhur me marrjen në pyetje, ka reaguar përmes rrjeteve sociale edhe vetë presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
“U kërkoj ndjesë gazetarëve që nuk m’u dha leja që kërkova, që edhe me pranga dhe i shoqëruar, t’u përgjigjesha çdo pyetje të tyre. Dua t’ju siguroj se kam dhënë sqarime shumë të qarta, me sjelljen time tepër transparente, për të gjitha pyetjet që m’u drejtuan, duke sqaruar edhe një herë në respektin tim të plotë ndaj të gjitha ligjeve shqiptare dhe amerikane për çështjen e lobimit”, shkruan Meta.
“Por më lejoni t’ju sqaroj se ishte një seancë me pyetje reciproke, ne iu përgjigjëm të gjitha pyetjeve të tyre, ata iu shmangën “për moskompetencë” pyetjeve tona.
Pyetja jonë e parë ishte se çfarë bëhet me kallëzimin tonë të dorëzuar më 6 dhjetor në SPAK lidhur me rrëmbimin kriminal dhe banditesk”, shkruan ndër të tjera Meta në rrjetet sociale.
Meta është në masën “arrest me Burg”, pasi po hetohet nga SPAK për tri vepra penale, “Korrupsion” në 3 raste, “Pastrim parash” dhe “Fshehje të pasurisë”.
/m.m/a.f/r.e/