E Martë, 3 Nëntor 2026

Kumbaro: Libohova, potenciale për turizëm që krijon punësim dhe ekonomi për vendasit

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Qyteti i Libohovës, i ndodhur 17 km larg Gjirokastrës, po tërheq mjaft vizitorë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.

Me bukuri natyrore magjepsëse dhe monumente me vlera kulturore dhe historike Libohova po njeh rritje vit pas viti në turizëm, duke sjellë edhe shtimin e bujtinave.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale shembullin e të riut Gerlad Usuni.

“Bujtina Kalaja në Libohovë, përmes historisë së Geraldit që pas 6 vitesh emigrim në Gjermani u rikthye në vendlindje, në shtëpinë e tij pranë kalasë së Shanisasë, për ta kthyer në një vatër mikpritjeje model si për nga shijet që vijnë prej kuzhinës së restorantit, ashtu edhe akomodimit të ngrohtë në dhomat e bujtinës me pamje fantastike nga kalaja e liqeni i Doftisë. Libohova dhe fshatrat e saj sot ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për t’i orientuar potencialet drejt praktikave të qëndrueshme të turizmit që krijojë punësim dhe ekonomi për komunitetet”, shkruan Kumbaro.

Gerlad Usuni tha se “para një vit e gjysmë vendosa të kthehem në Shqipëri pas një emigrimi të gjatë prej 10 vitesh në Gjermani. Emigrimi nuk ishte si e prisja dhe vendosa të kthehem në vendin tim. Mora iniciativën për të investuar në shtëpinë time që ndodhet në kalanë e Libohovës për ta kthyer në një bujtinë. Me eksperiencën në kuzhinë në Gjermani, por edhe me ndihmën e familjarëve të mi për gatimet tradicionale filluam punën për të pritur njerëz nga brenda dhe jashtë për t’u serviur gatimet tona të shumëllojshme dhe akomodimin në dhomat e bujtinës”.

“Kërkesat po shtohen bashkë me kërkesën ne do të kemi nevojë për fuqi punëtore. Jemi të kënaqur për rezultatet e punës sonë dhe u bëj thirrje të rinjve të shfrytëzojnë çdo mundësi dhe bukuri që Libohova ofron në shërbim të turizmit për t’i dhënë një frymë të re Libohovës dhe vendit tonë”, tha Usuni. /k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›