E Martë, 3 Nëntor 2026

Kanosën me armë familjarët e kandidates për deputete në Dajç, policia shpall në kërkim dy persona

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim dy persona, si autorë të dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe kanosje apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje.

Mediet raportojnë se kanë qenë vëllezërit e një kandidateje për deputete që kanë njoftuar policinë duke thënë se mjeti i tyre është ndjekur nga dy makina të tjera për pretendime që lidhen me fushatën elektorale të motrës së tyre në qarkun e Lezhës. Ata pretendojnë se janë kanosur edhe me armë në fshatin Dajç.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit Xh. S., 27 vjeç dhe I. Gj., 40 vjeç, si autorë të dyshuar për veprat penale “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” .

“Shpallja në kërkim e tyre u bë pasi rreth orës 23:25 të datës 04.05.2025, shtetasit E. N. dhe D. N. njoftuan Sallën Operative të Policisë së Lezhës, se fillimisht automjeti me të cilin lëviznin, ishte ndjekur nga 2 automjete të tjera, dhe më pas në fshatin Dajç, ishin kanosur me armë, nga shtetasit që udhëtonin me dy automjetet, për pretendime që lidhen me fushatën elektorale të motrës së tyre, kandidates për deputete të qarkut Lezhë, shtetases K. N”, njoftoi policia.

Sipas policisë “nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se autorë të kanosjes janë shtetasit Xh. S., 27 vjeç dhe I. Gj., 40 vjeç. Shërbimet e Policisë vijojnë intensivisht punën për kapjen e tyre. Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po kryhen hetime për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore të gjitha rrethanat e këtij rasti”./j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›