SHBA – Trump propozon dërgimin e trupave amerikane në Meksikë për të luftuar trafikun e drogës

UASHINGTON, 5 maj /ATSH-DPA/- Presidenti Donald Trump konfirmoi dje në mbrëmje se ka propozuar dërgimin e trupave amerikane përtej kufirit në Meksikë për të ndihmuar fqinjin e saj në luftën kundër trafikut të drogës, me
Në një reagim lidhur me deklaratën e Trump, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum e hodhi poshtë idenë.
Të premten, “Wall Street Journal” raportoi se Trump, në një telefonatë në prill, i bëri presion Sheinbaum që t’i lejonte forcat e armatosura amerikane të merrnin një rol udhëheqës në luftën kundër bandave meksikane të drogës – që kontrabandonin fentanil në SHBA.
Sheinbaum komentoi të shtunën për ofertën e presidentit Trump duke thënë se: “Ai tha: ‘Si mund t’ju ndihmojmë në luftën tuaj kundër trafikut të drogës? Unë propozoj që ushtria e SHBA-së të vijë dhe t’ju ndihmojë’. Dhe e dini çfarë thashë? ‘Jo, President Trump. Territori është i paprekshëm, sovraniteti është i paprekshëm, sovraniteti nuk është në shitje’,” tha Sheinbaum.
Presidentja meksikane vazhdoi duke thënë se “nuk ishte e nevojshme” që trupat amerikane të hynin në Meksikë.
“Ne mund të bashkëpunojmë, mund të punojmë së bashku, por ju në territorin tuaj, ne në tonin”, shtoi ajo.
Trump konfirmoi dje gjithashtu shkëmbimin.
“Meksika po thotë se unë ofrova të dërgoj trupa amerikane në Meksikë për t’u kujdesur për kartelet… a është e vërtetë kjo?”, tha Trump në bordin e “Air Force One”, duke përsëritur pyetjen e një gazetari.
“A mendoni se do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje”, tha fillimisht Trump përpara se të vazhdonte: “Do t’i përgjigjem. Është e vërtetë.”
Trump vazhdoi duke thënë se Meksika duhet të lejonte SHBA-në të dërgonte trupa në vend. “Nëse Meksika do të donte ndihmë me kartelet, do të ishim të nderuar të hynim dhe ta bënim. I thashë Sheinbaum se do të isha i nderuar të hyja dhe ta bëja”, tha presidenti Trump.
I pyetur pse Sheinbaum e refuzoi ofertën e tij, Trump tha se presidentja meksikane kishte shumë frikë nga kartelet sa që nuk mund të ecte.
“Presidentja e Meksikës është një grua e mrekullueshme, por ajo ka aq shumë frikë nga kartelet sa që nuk mund të mendojë qartë”, tha Trump. //a.i/