E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro: Regjistrimi në universitete do të integrohet në zinxhirin digjital të shërbimeve arsimore

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro reagoi sot pas problematikave të shfaqura gjatë regjistrimit të studentëve të rinj në programet e Mjekësisë, duke theksuar nevojën për thjeshtimin dhe digjitalizimin e procesit.

Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga radhët e krijuara gjatë regjistrimit, pasi një prind i kishte përcjellë shqetësimin për vajzën e tij, e cila ka fituar të drejtën për të studiuar Mjekësi.

“E kuptoj shqetësimin e tij dhe, mbi të gjitha, e kuptoj që një proces që mund të jetë më i thjeshtë nuk duhet t’u shtojë familjeve edhe një ditë pritjeje, radhë e sorollatje”, shkroi ministrja.

Ajo bëri të ditur se procesi i regjistrimit në universitete do të rishikohet, me synimin për ta integruar atë në sistemin digjital të shërbimeve arsimore.

“Vitin e ardhshëm regjistrimi në universitete do të integrohet në zinxhirin digjital të shërbimeve arsimore, që nga klasa e parë deri në përfundimin e studimeve të larta”, deklaroi Kumbaro.

Për procesin e këtij viti, ministrja u ka kërkuar universiteteve të marrin masat e nevojshme për organizimin sa më të mirë të regjistrimeve, të cilat tashmë kanë nisur.

“Me shumë ndjesë për sot, por edhe me një premtim të qartë: kjo skenë duhet të jetë e fundit”, u shpreh Kumbaro.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›