E Diel, 1 Nëntor 2026

Virusi i Nilit Perëndimor, ISHP apel qytetarëve: Raportoni zogjtë e ngordhur, mos i prekni

Instituti i Shëndetit Publik u ka bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj zogjve të ngordhur, pasi gjetja e tyre mund të jetë një tregues i qarkullimit të virusit të Nilit Perëndimor. Sipas ISHP-së, zogjtë janë ndër bartësit kryesorë të virusit dhe luajnë një rol të rëndësishëm në ciklin e tij natyror. Për këtë arsye, monitorimi dhe raportimi i rasteve të shpendëve të ngordhur ndihmon në identifikimin dhe kontrollin e përhapjes së virusit.

Instituti këshillon qytetarët që, nëse gjejnë një zog të ngordhur në ambiente publike apo pranë banesës, të mos e prekin me duar të pambrojtura dhe ta raportojnë menjëherë pranë autoriteteve të shëndetit publik ose shërbimeve veterinare.

“Gjetja e një zogu të ngordhur mund të jetë tregues i qarkullimit të virusit të Nilit Perëndimor”, thekson ISHP.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Shumica e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma, ndërsa në raste të tjera mund të shfaqen temperaturë, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupi, të përziera, të vjella dhe skuqje të lëkurës. Në raste më të rënda, infeksioni mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë komplikacione serioze.

Kush rrezikohet më shumë?

ISHP thekson se rreziku për zhvillimin e formave të rënda është më i lartë te: të moshuarit, veçanërisht personat mbi 60 vjeç; personat me imunitet të dobësuar; personat që vuajnë nga sëmundje kronike.

Për këto kategori, mbrojtja nga pickimet e mushkonjave është veçanërisht e rëndësishme. Në mungesë të një vaksine për njerëzit, masat parandaluese ndaj mushkonjave mbeten një nga mënyrat kryesore për të ulur rrezikun e infektimit.

ISHP u bën thirrje qytetarëve të mos prekin zogjtë e ngordhur me duar të pambrojtura dhe të raportojnë çdo rast pranë autoriteteve përkatëse, duke ndihmuar kështu në monitorimin e situatës dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›