Kumbaro: Sfidat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në Diasporë, shumë më komplekse se 30 vjet më parë

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka deklaruar në Samitin e Diasporës që po mbahet në Tiranë se gjuha shqipe sot përballet me një realitet krejtësisht të ri.
“Ndryshimet demografike kanë transformuar rrënjësisht raportin e shumë fëmijëve shqiptarë me gjuhën shqipe, jo vetëm të atyre në diasporë, por edhe të fëmijëve shqiptarë brenda kufijve administrativë”, u shpreh ajo.
Sipas ministres, migracioni masiv ka krijuar breza që rriten në mjedise shumëgjuhëshe, ku “shqipja nuk është më gjuha e shkollimit, nuk është as gjuha e lojërave, por shpesh mbetet vetëm gjuha e familjes.”
“Në këto kushte, sfidat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë janë bërë shumë më komplekse se 30 vjet më parë, se 20 vjet më parë, madje edhe se 10 vjet më parë.”
Kumbaro shpjegoi se nuk mjafton më transmetimi natyrshëm i gjuhës por brezat kanë nevojë për mbështetje për ruajtjen e gjuhës shqipe.
“Brezi i parë e ruan gjuhën spontanisht… Brezi i dytë ka nevojë për mbështetje, ndërsa brezi i tretë rrezikon ta humbasë gjuhën nëse nuk ndërtojmë politika dhe instrumente të qarta.” Prandaj, theksoi ajo, “nuk flasim më thjesht për mësimdhënie, por për një qasje të re. Diaspora duhet parë… si një realitet arsimor që kërkon politika të posaçme, sistematike dhe afatgjata”, tha ajo.
Ajo u shpreh optimiste se nuk po nisim nga zeroja ndërsa solli si shembull Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe.
“Një aktivitet shumë të rëndësishëm që zhvillohet këtu në Tiranë është finalja e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe – një nismë që Ministria e Arsimit e zhvillon prej pesë vitesh me nxënësit 15-vjeçarë (klasat e nënta). Në këtë vit shkollor janë përfshirë rreth 8.000 nxënës nga mbi 800 shkolla në të gjithë Shqipërinë. Finalja e këtij konkursi të madh do të jetë pasnesër, me pjesëmarrjen edhe të ministrit të Arsimit të Kosovës, zotin Çeku”, deklaroi më tej Kumbaro.
Ajo foli edhe për bashkëpunimin e ngushtë Shqipëri–Kosovë, duke përmendur Olimpiadën e Përbashkët të Gjuhës Shqipe, seminarin vjetor për mësuesit e diasporës, si dhe hartimin e abetares dhe teksteve të përbashkëta për diasporën.
/rtsh.al/