Sala: Diaspora, partner i pazëvendësueshëm në reformat tona të shëndetësisë

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala në fjalën e saj në Samitin IV të Diasporës, në panelin 3 me titull “Diaspora dhe Sistemi Shëndetësor” falënderoi ekipin e mjekëve dhe specialistëve që kontribuojnë prej vitesh në sistemin shëndetësor shqiptar. Sala veçoi kontributet në distancë të dy mjekëve në fushën e Onkologjisë që kanë ndihmuar pacientët të përfitojnë kontrolle të specializuara me protokolle evropiane.
Ministrja Sala nënvizoi se “koha ka treguar që në shëndetësi gjithnjë e më shumë ndërtohen ura dhe jo mure”.
“Një gërshetim, një bashkëpunim sepse ne njohim ekspertizën e shkëlqyer që kemi këtu në Shqipëri, por shkëmbimi i eksperiencave është diçka e mrekullueshme”, tha ajo.
Sala tha se u kthye në Shqipëri, për të ndërtuar një sistem shëndetësor model, bashkë me ekipin e bashkëpunëtorëve.
Nga paneli i diskutimeve për shëndetësinë në Samitin IV të Diasporës, Sala u bëri thirrje profesionistëve brenda dhe jashtë vendit që të ndihmojnë në reformën në shëndetësinë shqiptare.
“Diaspora shqiptare sot është një forcë e madhe e kombit tonë. Jo vetëm për atë që ka arritur jashtë, por për atë që mund të ndërtojmë së bashku. Ndër vite kam përjetuar përkushtimin, angazhimin, pasionin dhe në fakt jam e nderuar mund të them. Kam një pozicion të veçantë në anën tjetër, që tashmë e pres diasporën dhe krijoj këto lidhje ose dhe i çojmë më tej ato që janë krijuar, dhe jam vërtet krenare për këtë”, tha Sala.
Sala tha se “Diaspora është dhe do mbetet një partner i pazëvendësueshëm në këtë drejtim”.
Në këtë kontekst, ministrja paraqiti katër shtyllat kryesore të bashkëpunimit me diasporën:
* Transferimi i qëndrueshëm i dijes dhe ekspertizës;
* Ndërtimi i urave institucionale me qendra të rëndësishme europiane;
* Hartimi i politikave lehtësuese për përfshirjen e profesionistëve nga diaspora;
* Rritja e standardeve përmes inovacionit dhe kërkimit shkencor.
Ajo bëri të ditur se janë në proces konkretizimi marrëveshje bashkëpunimi me institucione prestigjioze europiane, përfshirë partneritete me institute shëndetësore në Itali, duke synuar forcimin e kapaciteteve vendase dhe shkëmbimin e ekspertizës.
Në përmbyllje, ministrja Sala theksoi se reforma në shëndetësi kërkon një përpjekje të përbashkët dhe i bëri thirrje të gjithë profesionistëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, të kontribuojnë aktivisht në këtë proces.
“Kjo nënkupton transferim të qëndrueshëm të dijes dhe ekspertizës, që e kemi filluar dhe jemi në hapat e parë. Ndërtimin e urave institucionale, politika konkrete lehtësuese
Procedura më të thjeshta për njohjen e kualifikimeve, mundësi për angazhim fleksibël dhe skema incentivash për kontribut të qëndrueshëm, si dhe rritjen e standardeve dhe cilësisë, por edhe Inovacion dhe kërkim shkencor”, tha Sala.
/e.i/