E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kumbaro: Udhëtimi në Shqipëri nis me mundësitë që ofron TEA

TIRANË 13 gusht /ATSH/ Turistët që vizitojnë vendin tonë kanë mundësi të njohin destinacionet, eventet kulturore etj., nëpërmjet aplikacionit TEA (Tourism Events of Albania).

TEA është kalendari digjital i turizmit, është një platformë e mirorganizuar e programeve turistike, kulturore dhe artistike që u shërben turistëve që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh sot se, “udhëtimi në Shqipëri nis me një “skanim” në telefon për të zbuluar më pas një itinerar fantastik destinacionesh, ngjarjesh, mundësish që TEA, udhërrëfyesja digjitale e Shqipërisë turistike prezanton, duke u bërë shoqëruesja virtuale e pushimeve që nga portat hyrëse të vendit, e deri në fund të kësaj përvoje, ku një udhëtim i vetëm nuk mjafton”.

Kumbaro ftoi turistët të shkarkojnë aplikacionin TEA  https://www.tourismeventsofalbania.com/index.html

Kalendari turistik i eventeve verore vjen edhe këtë vit i harmonizuar në aplikacionin TEA (Tourism Events of Albania).

Aplikacioni TEA është i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Në aplikacion gjenden aktivitetet që ndodhin gjatë sezonit turistik në çdo kohë dhe në çdo vend. Mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni do të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.

Ky kalendar turistik digjital është realizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit në koordinim me institucione të tjera si Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe me të gjitha bashkitë e vendit.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›