Kumbaro, arresti me burg në fuqi

Ilir Kumbaro
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë lanë në fuqi dje masën e sigurisë “arrest me burg”, caktuar nga Apeli i Krimeve të Rënda ndaj Ilir Kumbaros, një prej të akuzuarve për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në vitin 1995. Lënia në fuqi e masës së sigurisë së dhënë më 5 janar 2010 i hap dritën jeshile ekstradimit në Shqipëri të Kumbaros, ish-drejtorit të Drejtorisë së Parë të SHIK-ut për Tiranën. Vendimi unifikues u shpall rreth orës 18:00 të ditës së djeshme nga një trupë gjyqësore e përbërë nga 13 anëtarë në Gjykatën e Lartë. Përfaqësuesi ligjor i të pandehurit Ilir Kumbaro i kërkoi dje Kolegjeve të Bashkuara të mos miratonin vendimet e Shkallës së Parë dhe të Apelit për Krimet e Rënda të dhjetorit 2009 e janarit 2010, të cilat caktuan “arrest me burg” për Kumbaron. Sipas avokatit, prokurori nuk kishte të drejtë të kërkonte një masë sigurimi gjatë gjykimit të çështjes, në një kohë që gjatë fazës hetimore nuk është caktuar masë sigurie. Kundërshtia tjetër e mbrojtjes së Kumbaros kishte të bënte me faktin që shqyrtimi i masës së arrestit është bërë nga e njëjta trupë gjykuese që shqyrton dosjen në themel. Ndërsa përfaqësuesi i Prokurorisë kërkoi lënien në fuqi të “arrestit me burg” ndaj Kumbaros.
KRONOLOGJIA
Autoritetet policore të Britanisë së Madhe njoftuan më 10 shtator 2008, arrestimin e një personi të dyshuar si Ilir Kumbaro, për llogari të Drejtësisë shqiptare. Para autoriteteve, personi ishte paraqitur me një mjet identifikimi me emrin Shaqa Shatri. Pak muaj më vonë, Gjykata e Londrës provoi se personi i ndaluar prej tyre ishte Ilir Kumbaro, person i cili ishte i pandehur në një gjykim në Gjykatën për Krimet e Rënda në Shqipëri. Po nga Gjykata e Londrës, u vendos ekstradimi i tij drejt Shqipërisë. Miratimi i vendimit për ekstradimin e tij u bë më 12 maj të vitit 2009. Ndërkohë, në procesin te Krimet e Rënda në Tiranë, gjykata kishte vendosur një masë sigurie “arrest me burg” ndaj Kumbaros, pas ndalimit të tij në Londër. Apeli i Krimeve të Rënda e la në fuqi këtë masë sigurie. Këtij vendimi iu bë rekurs në Gjykatën e Lartë. Një Kolegj Penal i kësaj gjykatë vendosi, më 2 dhjetor 2009, shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, caktuar nga Shkalla e Parë dhe e lënë më pas në fuqi nga Apeli. Referuar vendimit të Gjykatës së Lartë në Shqipëri, që rrëzoi “arrestin me burg”, Gjykata e Apelit të Londrës, më 15 dhjetor 2009, pushoi çështjen e ekstradimit, duke refuzuar kërkesën e Drejtësisë shqiptare për sjelljen para Krimeve të Rënda në Tiranë të Kumbaros. Në “përgjigje” të kësaj, Gjykata për Krimet e Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e një mase të re sigurie “arrest me burg” ndaj ish-sekretit të akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Kjo masë shtrënguese e dhënë në mungesë ndaj Kumbaros u la në fuqi nga Gjykata e Apelit më 5 janar të vitit 2010. Mbërritja e dosjes në autoritetet britanike bënë që Kumbaro të riarrestohej. Në këtë pikë çështja ndaj tij ngeli në “ngërç”. Kjo për shkak se pas mbërritjes së ankimit të këtij vendimi në Gjykatën e Lartë, nga kjo Gjykatë u vendos që çështja të shqyrtohej nga Kolegjet e Bashkuara të kësaj Gjykate. Shqyrtimi i çështjes më 18 janar 2011 dështoi, pasi Kolegjet e Bashkuara nuk kishin numrin e nevojshëm të anëtarëve për të formuar shumicë. Në atë kohë, Kolegjet e Bashkuara përbëheshin nga 12 anëtarë, numër çift, dhe pasi u njohën me pretendimet palëve, nuk arritën të formonin shumicë për shpalljen e një vendimi përfundimtar.
Masa e parë
Më 18 shkurt 2003, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë ndaj Ilir Kumbaros, pas dyshimeve se ai ishte një nga autorët e rrëmbimit dhe torturimit të Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, me pasojë vdekjen e biznesmenit Hoxha. Për mungesë provash, çështja u pushua dhe u rihap në shtator të vitit 2006, me vendim të Prokurorit të Përgjithshëm.
Te Krimet
Pas rihapjes së hetimeve nga Prokuroria për Krimet e Rënda, organi kërkoi masa sigurie për tre të dyshuarit e tjerë të dosjes, por jo për Ilir Kumbaron. Në këtë kohë, vendndodhja e Kumbaros nuk dihej. Pas ndalimit të tij në Angli, Prokuroria i kërkoi Gjykatës për Krimet e Rënda caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” në mungesë, ndaj tij.
Kolegjet e Bashkuara
Shqyrtimi i ligjshmërisë së “arrestit me burg” të Kumbaros mbeti “pezull” për më shumë se një vit, duke lënë të “bllokuar” edhe mundësinë e ekstradimit të tij në Shqipëri. Shkak i kësaj situate ishte mosplotësimi me numrin e duhur të anëtarëve të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Djali i Remziut: Babai i mbeti në dorë të Ilir Kumbaros

Ardian Hoxha
Pak orë pas vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ka reaguar dje Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës. Ai ka thënë se babai i tij gjeti vdekjen nga torturat e ushtruara nga Ilir Kumbaro. “Normalisht, gjithmonë kur dëgjojmë që procesi shkon përpara jemi të kënaqur. Dhe e kundërta, kur dëgjojmë se gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet, jemi të shqetësuar. Ne, siç deklarova edhe në konferencën për shtyp para disa ditësh, jemi duke pritur prej 16 vitesh që sistemi i drejtësisë në Shqipëri të bëje punën e vet. Dhe kërkojmë të mos zvarritet dhe procesi të shkojë përpara”, theksoi Ardian Hoxha mbrëmë për televizionin “News 24″. Djali i Remzi Hoxhës theksoi më tej se Ilir Kumbaro edhe në Prokurori është i dokumentuar se është ndër personat kyç të çështjes. “Faktikisht, Ilir Kumbaro është personi të cilit babai im i ka ngelur në dorë, do të thotë, kanë qenë torturat e Ilir Kumbaros që i kanë marrë jetën babait tim, dhe kjo do të dëshmohet edhe ligjërisht. Unë shpresoj që kur të vijë në Shqipëri, ai të verifikojë të gjitha gjërat, nga ana tjetër, do thotë që të mos eliminohet fizikisht, që e gjithë e vërteta të dalë në shesh”, tha Ardina Hoxha.
Armand Bajrami