E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i drogës, Apeli i hap rrugë ekstradimit të Altin Korës në SHBA

Altin Kore

TIRANE – Gjykata e Apelit të Tiranës i dha dje formë të prerë vendimit gjyqësor që lejonte ekstradimin e Altin Kores në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kore, 39 vjeç, u arrestua në Aeroportin e Rinasit në qershor të këtij viti, për llogari të Drejtësisë amerikanë, sipas të cilës ai akuzohej për “trafik të narkotikeve” dhe “armëmbajtje pa leje”. Gjykata e Apelit shqyrtoi dje ankimin e Kores kundër vendimit të 23 shtatorit të Gjykatës së Tiranës. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, Apeli vendosi lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë, sipas të cilit Kore duhet të ekstradohet drejt SHBA-ve. Vendimi Apelit i jep formë të prerë vendimit të mëparshëm, ç’ka do të thotë, Kore mund të ekstradohet në ditët në vijim. Në seancën e djeshme, avokati mbrojtës pretendoi para trupit gjykues në Apel se klienti i tij nuk ndodhej në kushtet ku mund të ekstradohej. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Prokurorisë në proces kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Tiranës për ekstradimin e Kore. Ekstradimi i Kores në SHBA u kërkua për shkak të një “llogarie” të hapur mes tij dhe Drejtësisë të këtij vendi. Emri i tij ishte radhitur në listën e personave në kërkim të Interpol Uashington, më 3 mars të vitit 2011. Shpallja e tij në kërkim kishte ardhur pas një urdhër-arresti të lëshuar ndaj tij nga Gjykata e Teksasit, SHBA, më 14 gusht të vitit 2008, pasi akuzohej për “trafik të lëndëve narkotike” dhe “mbajtje pa leje të armëve”.  Pas arrestimit, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 60 ditë ndaj tij, afat i cili u shtua edhe me një muaj, nëpërmjet një vendimi të dytë. “Midis periudhës janar 2007 dhe 14 gusht 2008, në Distriktet Lindore dhe Veriore të Teksasit, Altin Kore ishte anëtar i një organizate drogë, që shpërndante sasi kokaine me shumë kilogramë.  Kore ishte një prej drejtuesve të organizatës që lehtësonte marrjen e kokainës dhe drejtimin e të tjerëve për ta transportuar dhe shpërndarë atë”, thuhej në vendimin e Shkallës së Parë, që caktoi “arrest me burg” ndaj Kores. Në të njëjtin vendim, referuar dosjes amerikane ndaj Kores, pohohej se Kore kishte trafikuar lëndë narkotike edhe në Itali e Shqipëri dhe së në total, ai është përgjegjës për trafikimin e 20 deri në 25 kg kokainë.       ar.ba

25 kilogramë
drogë është sasia për të cilën Altin Kore akuzohet në SHBA. Ai dyshohet se ka kryer trafik ndërkombëtar droge me qarkullimin e kësaj ngarkese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›