E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kumbaro me trojanet në vendin e Katrinës

Regjisori shqiptar që aktualisht jep mësim në Universitetin e Lojolës në Nju Orleans, shfaq një version të tragjedisë së Euripidit bazuar në idenë e "qytetit të humbur" dhe të "triumfit të shpirtit"


Tragjedia "Trojanet" e Euripidit në një version të përshtatur nga autorja amerikane Ellen McLaughlin, vihet në skenë nga regjisori shqiptar Arben Kumbaro.


Që prej janarit të këtij viti, Kumbaro është ftuar nga Universiteti i Lojolës në Nju Orleans për të dhënë gjatë gjithë pranverës përvojën dhe njohjet e tij për teatrin dhe kulturën në Evropën Lindore, për të qenë lektor i një kursi për të shkruarit teatër dhe më e rëndësishmja për të dyja palët, për ftuesit dhe të ftuarin, është produksioni gjatë marsit i "Trojaneve".

Departamenti i Artit Dramatik ka marrë përsipër vënien në skenë të veprës me një trupë studente aktoresh. Është bërë tashmë prezantimi nga profesoresha e teatrit, drejtoresha artistike e produksionit Georgia Gresham, ndërsa shfaqja ka premierën më 20 mars në orën 20.00, në Marquette Theatre, kampusi kryesor i Universitetit të Lojolës.


Kumbaro është shprehur se ndihet shumë i kënaqur me punën e deritanishme sepse "Trojanet" e shkruar në vitin 415 para K, një vepër kundra luftës, është tashmë shumë pranë koncepteve të tij.

Nga ana tjetër e ka quajtur të udhës të përfshijë përvojën e rinisë së tij në një vend të izoluar diktatorial për të dhënë një portret të saktë të asaj që ndodhi me trojanet në ato kohë lufte.

Sipas njoftimit për shtyp të Departamentit të Dramës mësohet që me këtë version të tragjedisë antike, Kumbaro shpreson të rrënjosë një tablo të tragjedisë së Nju Orleansit i përfshirë nga dhuna e forcave të natyrës pak kohë përpara, ashtu Troja qindra mijë vjet dikur, u gjend nën peshën e mizorive të athinjotëve.


E pra kjo vepër, sipas Kumbaros, i bën bën gjithnjë jehonë situatave të ngjashme. Në këtë rast regjisori shtron pyetjen e pakohë që del vetiu nga një vepër si kjo: si ka mundësi që njeriu të bëhet autor i krimit dhe i dhunës së tmerrshme ndaj kundërshtarëve të tij?


Dhe më tej shton një tjetër pyetje: Përse njerëzit janë ende të indoktrinuar dhe të manipuluar nga akte që janë botërisht të gabuara? Duke cituar dramaturgen Ellen McLaughlin sipas asaj që ajo ka shprehur në parathënien e përshtatjes së "Trojaneve", regjisori tërheq vëmendjen tek këto fjalë të sajat: "... fokusi kryesor i këtij versioni është mbi idenë e humbjes së një qyteti të madh...gjithkush ka humbur një qytet; një qytet, një qytetërim nuk është e thënë të shkatërrohet fizikisht që të humbasë."


"Shpirti që triumfon në adaptimin e McLaughlin-it është arsyeja përse unë kam zgjedhur këtë version të veçantë të Trojaneve për ta performuar këtë pranverë në Loyola University. Isha i ndërgjegjshëm për idenë e "humbjes së një qyteti", ide e cila është skalitur në kujtimet e njerëzve nëpër botë.

Kjo përfshin edhe historinë kontradiktore e rajonit tim ballkanas në ditët sot, po aq sa tragjedinë e fundit të Katrinës në këtë copë të bukur të botës - Nju Orleans",- ka thënë Kumbaro në prezantimin që i bën këtij produksioni. Duke e mbyllur, kujton se mesazhi që do të japë është: qëndresa.

Dhe për këtë forcë të brendshme që i bën njerëzit të provojnë veten përballë furtunave ai kujton fjalët e personazhit kryesor të "Trojaneve" fjalët e mbretëreshës Hekubë: "Fluturimi ynë do të jetë i përjetshëm, era do të jetë ushqimi ynë."


Të braktisura nën hijen e rrënojave të qytetit të tyre gratë përpiqen që të kuptojnë tmerret dhe shkatërrimin që hodhën mbi to zotat dhe njerëzit.


Në këtë produksion, Kumbaro bën një qasje të vetën duke vendosur paralel jetët e ballkanasve të tij dhe njuorleansëve, që kanë braktisur jetët e tyre, shtëpitë dhe kujtimet. Me dialogët e drejtpërdrejtë Kumbaro dhe trupa e tij mishëron sipas një stilizimi të ri tragjedinë greke me besimin për të bashkuar njerëzit nëpërmjet teatrit.


"Trojan Women" pas premierës do të shfaqet edhe në datat Marquette Theatre të Lojolës, dhe në datat 21, 26, 27 dhe 28 mars.


Gjatë karrierës së tij, Arben Kumbaro mbahet mend për vëniet në skenë nga Brehti të "Frikë dhe tmerr në Rajhun e tretë", nga Beket "Duke pritur Godonë", nga Dyrrenmat "Franku V, nga Zhëneti "Shërbëtoret" nga David Edgar "Rrëshajët", nga Sarrot "Për një fjalë goje", ndërsa vepra të vetat "Lamtumirë dashuri" dhe "Harromëni" prodhuar nga "Seven Stages" në Atlanta dhe në Universitetin e Harvardit.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›