E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gërdeci" zyrtarët i falën Delijorgjit 8 milionë $

Sipas kërkesës për gjykim, "Albademil", ka përfituar nga transporti, vlerësimi i ulët i municioneve dhe qeraja e papaguar

Punishtja e çmontimit, sipas kontratës, duhej të kishte në dispozicion 250 m2 ambiente ndërsa në realitet mori 9 mijë metra


TIRANË- Shoqëria "Abademil" që kryente demontimin e municioneve në Gërdec i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 9.6 milionë dollarë, vetëm nga mos pagimi i qerasë në ambientet e Gërdecit, vlerësimet jo reale të çmimeve të municioneve që demontoheshin dhe transportimin e tyre nga depot ushtarake në punishten e çmontimit në ish-repartin e tankeve.

Ky lajm konfirmohet nga të dhënat e renditura në 167 faqet e kërkesës për gjykim të dosjes së Gërdecit, që pasditen e së premtes bashkë me 81 fashikujt e dosjes hetimore janë dorëzuar pranë Gjykatës së Lartë për gjykimin e 29 të pandehurve, si përgjegjës për shpërthimin në Gërdec.

Sipas kërkesës për gjykim, dëmi material që i është shkaktuar shtetit, konkretisht Ministrisë së Mbrojtjes nga vlerësimi i ulët i çmimeve të municioneve për demontim, nga mos pagimi i qerasë së ambienteve që përdoreshin nga "Albademil", nga mos pagimi i faturave të energjisë, si dhe nga transporti i fishekëve që kryheshin nga Forcat e Armatosura, kap vlerën e rreth 9.6 milionë dollarëve amerikanë.


Kontratat


Kjo vlerë, sipas kërkesës për gjykim, është nxjerrë në përfundim të analizave të shkresave të sekuestruara tashmë dhe që janë pjesë e fashikullit për gjykim. Në to janë evidentuar të gjitha shkeljet e konstatuar të dy kontratave mes MEICO-së dhe "Albademil"-it.

"Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Çmimeve të Municioneve që janë marrë të pandehur, kanë bërë vlerësime qesharake për çmimin e fishekëve dhe municioneve të tjetra për demontim.

Në kontratën e parë të firmosur në 6 qershor të 2007 dhe që ka përfunduar në fund të tetorit 2007, objekti i kontratës kishte si qëllim shitjen e municioneve nga Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet procesit të çmontimit tek kompania "Albademil".

Për shitjen dhe demontimin e 150 milionëve fishekëve të kalibrave nga 12.7 mm deri tek ai 54 mm, dëmi kapte vlerën totale të 1 milion e 611 mijë dollarëve amerikanë. Ndërsa, në kontratën e dytë që është firmosur mes MEICO-s dhe "Albademil"-it në dhjetor 2007, me objekt shitjen nëpërmjet demontimit të municioneve të kalibrave të rëndë nga 20 deri 152 mm.

Kjo kontratë ishte vlerësuar gjithashtu me një vlerë qesharake dhe vlera që duhej të përfitonte shteti, kapte shumën e rreth 582 mijë dollarë. Në total, të dy kontratat mbartin një çmim prej 2 milionë e 200 mijë dollarë, shifër kjo e përcaktuar nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Çmimeve për Municionet e rënda dhe të lehta.

Kjo shifër, sipas ekspertëve të prokurorisë, është qesharake , pasi pas përllogaritjes së çmimit mesatar të këtyre përmasave të demontimit në rajon, qeveria shqiptare duhej të përfitonte edhe rreth 8 milionë dollarë të tjera përveç atyre 2.2 milionëve që figuronin në kontrata",- thuhet nga prokuroria, duke shtuar se ky vlerësim jo real i çmimeve e ka favorizuar kompaninë "Albademil" me rreth 8 milionë dollarë amerikanë në dy kontratat.


Qeraja


Gjithashtu, këto burime nënvizuan se përveç këtij dëmi material në kontrata, Ministria e Mbrojtjes e ka favorizuar kompaninë "Albademil" edhe në mos pagimin e qerasë së ambienteve në Gërdec, mos pagimin e faturave të dritave dhe shpenzimet e transportit të municioneve për demontim nga depot ushtarake në të gjithë Shqipërinë në punishten e demontimit të ngritur në Gërdec.

"Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se kompania "Albademil" është favorizuar nga MEICO dhe Ministria e Mbrojtjes, duke mos i vjelë asnjë qindarkë kësaj kompanie për ambientet e marra me qira.

Në dokumentet e sekuestruara figuron se shoqëria "Albademil" i ka marrë Ministrisë së Mbrojtjes 250 metra katror ambiente me qira në ish-repartin e tankeve në Gërdec, por, realisht kjo shoqëri kishte uzurpuar dhe kishte në përdorim rreth 9 mijë metra katror.

Për këto ambiente, shoqëria "Albademil" nuk ka paguar asnjë qindarkë në arkën e shtetit. Përveç kësaj, Ministria e Mbrojtjes e ka marrë përsipër edhe kryerjen e transportit të municioneve nga depot e ushtrisë në Gërdec, që sipas akuzës, duhet t'i ngarkoheshin shpenzimet kompanisë private",-thuhet në kërkesën për gjykim.

Nga mos marrja e këtyre detyrimeve, të pagesës së qerasë dhe shpenzimeve të transportit shteti shqiptar i është shkaktuar një dëm prej rreth 1 milion e 100 mijë dollarë amerikan.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›