Tubimi për Gërdecin, itinerari që do ndiqet
Tubimi fillon sot në orën 12 në Gërdec. 7 grupet e interesit do të zëvendësojnë njëri-tjetrin në formën e stafetës. Përveç flamujve kombëtarë dhe atij të BE-së, do të mbajnë dhe një flamur gjigant kuq e zi.
TIRANË- Një vit plot nga tragjedia e rëndë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 njerëz dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë, si dhe u shkatërruan me qindra pasuri private dhe publike, drejtësia nuk është vendosur në vend, ndërsa opinioni publik nuk është i sigurt se të tilla ngjarje nuk do të ndodhin përsëri.
Për këto arsye, opozita shqiptare, e kryesuar nga Partia Socialiste, ka ftuar sot në një tubim paqësor, pa flamujt e partive politike, qytetarët e Tiranës, për të protestuar për indiferencën që qeveria shqiptare ka treguar ndaj kësaj ngjarje.
Por, nga ana tjetër, pothuajse për të njëjtat arsye ka vendosur të protestojë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, në një miting të vetin që do të mbahet në sheshin "Nënë Tereza" dhe për të vijuar më pas edhe para Kryeministrisë.
Gërdeci
Protesta e organizuar prej socialistëve dhe forcave të saj aleate, Partia Socalidemokrate, Demokracia Sociale dhe G99-a, si dhe grupet e ndryshme të interesit, siç janë shoqata "Gërdeci", shoqata e Ushtarakëve në Rezervë, shoqata e Minatorëve, Shoqata e Veteranëve të Luftës Nacional-Çlirimtare,
Konfederata e Sindikatave të Pavarura dhe Rrjeti i Vullnetarëve të Partisë Socialiste, do të nisë rreth orës 12 të drekës për të qenë së bashku në orën 12 e 20 minuta (ora e shpërthimit), rreth kraterit të shpërthimit, ku më parë gjendej reparti ushtarak, që përdorej nga kompania "AlbaDemil" për demontim armatimesh.
Këtu janë programuar që pjesëmarrësit të bëjnë homazhe dhe të hedhin lule rreth zonës së ndaluar, që sot ruhet nga forcat ushtarake.
Ndërkohë, është parashikuar që me anë të altoparlantëve të përçohet muzikë simfonike, e përshtatshme për një ceremoni funebre.
Më pas është programuar që njerëzit të marshojnë në këmbë drejt Tiranës, ku 7 grupet e interesit do të zëvendësojnë njëri- tjetrin në formën e stafetës, ndërkohë që në duar, përveç flamujve kombëtarë dhe atij të BE-së, do të mbajnë dhe një flamur gjigant kuq e zi.
Në vendin e quajtur Kthesa e Kamzës, është parashikuar që stafetën ta marrin anëtarët e Rrjetit të Vullnetarëve për Ndryshim, të cilët do të çojnë flamurin e madh në sheshin "Skënderbej".
Mitingu
Në Sheshin "Skëndërbej", në orën 18 është përcaktuar që të bëhet dhe mbledhja e gjithë qytetarëve, që pritet të vijnë jo vetëm nga Tirana, por edhe nga rrethet ku dhe do të zhvillohet mitingu.
Këtu është parashikuar që krerët e forcave politike, shoqatave dhe sindikatave të mbajnë dhe nga një fjalim të shkurtër, ku do të përkujtojnë viktimat e 15 marsit dhe do të kërkojnë drejtësi për këtë ngjarje.
Më pas është parashikuar që të zhvillohet dhe një parakalim në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", për të ndaluar protestën e tyre para Kryeministrisë. Megjithatë, orari i lëvizjes së turmës drejt Kryeministrisë është lënë i papërcaktuar.
Kjo për shkak se organizatorët kanë vendosur që të evitojnë çdo mundësi përplasjeje me protestuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët nga ana e tyre do ta fillojnë protestën në orën 17 pasdite.
Në këtë kuadër, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, kanë marrë masat për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike, për garantimin e zhvillimit normal të këtyre dy protestave dhe, për këtë arsye, që nga ora 07.00', deri në orën 20.00', do të ndalojë parkimin e automjeteve në sheshin "Skënderbej", sheshin "Nënë Tereza", sheshin "Italia" dhe Bulevardi "Dëshmorët e Kombit".
Ndërkohë që, nga ora 16.00' deri në orën 20.00' do të ndalohet qarkullimi i automjeteve përgjatë sheshit "Nënë Tereza" deri në Urën e Dajtit dhe, nga ora 17.00' deri më 20.00', do të ndalohet qarkullimi i automjeteve përgjatë sheshit "Skënderbej", Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" dhe sheshi "Nënë Tereza".