Kumbaro ndan artikullin e ITB Berlin: Shqipëria vendi i përvojave gastronomike nga “ferma në tryezë”

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Shqipëria po vazhdon të promovohet si një destinacion unik turistik në skenën ndërkombëtare.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka ndarë në rrjetet sociale një pjesë të artikullit të fundit të ITB-Berlin, panairi më i madh i turizmit në botë, ku theksohet se Shqipëria është “vendi i përvojave gastronomike nga ferma në tryezë”.
Ndër të tjera vihet në dukje ofertat gjithëvjetore të Shqipërisë për vizitorët.
“Vendi i përvojave gastronomike nga “ferma në tryezë”, me peizazhe të paqta dhe agroturizme sharmante – kështu përshkruhet Shqipëria në artikullin e radhës të ITB Berlin, panairit më të madh në botë të turizmit, ku çdo muaj vendi ynë promovohet me ofertën gjithëvjetore turistike”- shkruan ministrja Kumbaro.
Një ditë më parë gjatë fjalës së saj në Kuvend, ministrja Kumbaro bëri me dije se 10.4 milionë vizitorë të huaj kanë mbërritur në Shqipëri nga 1 janari deri në fund të muajit tetor.
/a.f/