KQZ miraton sot tabelën e Tiranës, ja fazat e mëtejshme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar ditën e sotme si kohën, kur do të miratojë tabelën e rezultatit për Bashkinë e Tiranës. Ndonëse një veprim i tillë u prit për ditën e premte, duket se drejtoria juridike ka dashur më shumë kohë në dispozicion, për të garantuar një proces të saktë. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në institucionin e menaxhimit të zgjedhjeve, Njazi Kosovrasti, deklaroi dje se brenda 10 ditëve do të ketë edhe një zyrtarizim të rezultatit për kryebashkiakun e Tiranës. “Të gjithë e dimë se kryetari i Bashkisë së Tiranës është zoti Basha. Shifrat janë fiksuar te numri 95. Besoj se kjo shkon përtej një dhjetëditëshi. Duke pasur parasysh ato që dëgjojmë, dhe kjo është në të drejtën e PS, që pritet një ankimim i ri mbas këtij vendimi të KQZ. Duke llogaritur kohën sa të dalë ky vendim, sa të bëhet ankimimi, besoj që brenda 10 ditëve gjithçka do të jetë e mbyllur. Në shtator do të shikojmë zotin Basha të ketë marrë përsipër drejtimin e Bashkisë së Tiranës”, theksoi Kosovrasti. Ai komentoi sakaq edhe pretendimet e Partisë Socialiste, për veprimtarinë e KQZ-së dhe mënyrën se si ajo e zbatoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor. “Integriteti është një vlerësim që kutisë i bëhet në raport me fletët e votimit që ka brenda. Është njësoj sikur në një moment, makinën e ke lënë në rregull dhe kur afrohesh shikon që xhami i makinës tënde është thyer. Makina nuk është e rregullt. Ka mundësi të jetë vënë dorë mbi të, por kjo nuk do të thotë të nxitosh të thuash se më kanë vjedhur dokumentet e makinës. Atëherë, çfarë bëri Komisioni Qendror dhe çfarë bën ti me makinën? Shkon tek makina dhe gjen dokumentet. Pra, vërtet është dëmtuar makina jote, por dokumentet janë atje. Kjo doli dhe në KQZ. Vërtet kutitë ishin të dëmtuara. Komisioni i hapi kutitë, i kontrolloi dokumentet, i kontrolloi të gjitha fletët e votimit në raport me tabelat e rezultatit që kishin përfaqësuesit e PD, të PS, tabelat që ka KQZ dhe nuk lëvizte asnjë votë”, u shpreh Kosovrasti. Sakaq, Partia Socialiste pret mbledhjen e sotme për të dhënë qëndrimin e saj të parë, në raport me të gjithë procesin që ndodhi prej një jave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas Kodit Zgjedhor, do të duhet që Partia Socialiste të respektojë afatin prej tre ditësh, që përkon me ditën e martë, kur duhet të depozitojë padinë në Kolegjin Zgjedhor për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës. Më pas duhet të jetë Kolegji, i cili në përputhje me ligjin, ka një afat prej 10 ditësh, që të mund të shqyrtojë dhe japë një vendim në lidhje me pretendimet e Partisë Socialiste. Moment ky që përkon me datën 8 korrik, si afatin maksimal ligjor të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor. Duke llogaritur edhe tre ditët që duhen në dispozicion të Kolegjit, për të zbardhur vendimin e marrë, atëherë rezulton se rreth datës 11 korrik mund të përmbyllet procesi i Tiranës zyrtarisht. Partia Socialiste, sipas asaj çka ka deklaruar deri më tani, ka vendosur të kërkojë pavlefshmërinë e procesit të votimit në Bashkinë e Tiranës dhe si bazë mbështetëse për këtë pretendim, do të ketë cenimin e integritetit të kutive të votimit që u hapën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Një tjetër bazë është ajo e mungesës së rakordimit të numrave dhe konkretisht atij të fletëve të votimit të gjendura në kuti dhe numrit të vullneteve të qytetarëve për kutinë përkatëse.