E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe kundër kursit “Rama”: Më shumë se pushtetin, dua lirinë

Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe, shpreh në Facebook kundërshtinë për tërheqjen e kryesocialistit nga protestat, duke shkruar se kursi i Ramës nuk është kursi i tij. “Protestat i bën populli? Po ne çfarë jemi? Unë nuk jam rrugaç nga Totenhemi. Jam si gjithë të tjerët e nuk mund të hesht”

Kursi i zbutur politik, që premtoi se do të ndjekë kryesocialisti Edi Rama, dy ditë më parë përmes një editoriali, nuk ka lënë të kënaqur krahun “radikal” në Partinë Socialiste. Një ditë pas bërjes publike të këtij kursi të ri politik nga Rama, pa protesta dhe me ofrimin e bashkëpunimit për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, kanë ardhur reagimet e para mospajtuese nga ata deputetë që gjatë gjithë kësaj kohe kanë kërkuar me ngulm një opozitë më të fortë në kuptimet e plota të saj, në rrugë, podiume e Kuvend. Njëri prej tyre është edhe nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, i cili sërish duke zgjedhur komunikimin virtual në Facebook, është shprehur kundër këtij kursi dhe mënyrës sesi kryetari i PS-së e koncepton reagimin qytetar kundër qeverisë.

Reagimi i Braçes

Duke shfrytëzuar sërish hapësirën e tij në Facebook, deputeti socialist Erion Braçe ka komentuar edhe deklaratën e bërë nga kreu socialist Edi Rama, si reagim ndaj raportit të fundit të ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri. Në referim pikërisht të shpjegimit që jep Rama, se asnjë opozitë në botë nuk udhëheq revoltat e qytetarëve dhe se ato duhet t’i bëjë vetë populli, Braçe shprehet në statusin e tij në rrjetin social facebook se opozita, më shumë se gjithkush në këtë vend që ndihet i dhunuar nga keqqeverisja, duhet të reagojë. Madje, ai shkon më tej, kur i kujton kryetarit të vet se një parti politike nuk mund të heshtë kur qytetarët bëhen viktima të keqqeverisjes. Braçe bën me dije se në ndryshim nga kryesocialisti Rama, ai nuk mund të heshtë përpara një situate të tillë, ku edhe ai, si pjesa tjetër e popullsisë, megjithëse respekton ligjin, ndihet i poshtëruar nga pushteti. “Protestat ... i bën populli"?!!!! Po ne, çfarë jemi? Unë nuk jam rrugaç nga Totenhemi! Unë jam si të gjithë të tjerët, respektoj ligjin-rregullat, paguaj tatimet-taksat, shlyej faturat-detyrimet! Por unë nuk mund të hesht kur më vrasin, vjedhin, poshtërojnë horrat në pushtet!”, - shprehet Braçe në faqen e tij. Për të gjitha këto, deputeti Braçe bën të qartë se nuk mund të pajtohet me këtë rrugë të re që ka zgjedhur të ndjekë kryetari Rama, duke u shprehur se “Ky nuk mund të jetë kursi im! Më shumë se pushtetin, dua lirinë!”. Janë pikërisht këto divergjenca në qëndrimet që duhet të mbajë opozita karshi mazhorancës, sidomos për procesin zgjedhor në Tiranë, që janë bërë shkak për një “ftohje” të marrëdhënieve mes kreut socialist Edi Rama dhe deputetit Erion Braçe. Që nga momenti që Rama vendosi të ndjekë një qasje më të përmbajtur ndaj procesit zgjedhor në Tiranë, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Braçe, ka dalë qartazi kundër kësaj sjelljeje, ndërsa ka kërkuar me ngulm një reagim të fortë.

Kursi i Ramës

Në editorialin e tij, të botuar gjatë ditës së djeshme në mediat e shkruara, kreu socialist, teksa shprehte keqardhje për këta zëra kritikë, bënte të ditur se nuk mund t’i kënaqte dhe se ishte i vendosur në ndjekjen e kursit të ri. Duke iu përmbajtur kësaj linje të re, Rama shpjegonte më tej se qytetarët duhet të merrnin vetë fatet e tyre në dorë, duke sjellë si shembuj protestat që bënin popujt e vendeve të zhvilluara, si në Greqi apo Angli, duke theksuar se në asnjë nga këto vende revolta qytetare nuk organizohej nga opozita.

Rama: Në vendet e zhvilluara protestat i bën populli

“E di fort mirë se ç’zhgënjim e brengosje ka lënë pas maskarada e Tiranës, di edhe se sa shumë janë ata që vazhdojnë të na gjykojnë keq, mua personalisht në radhë të parë, për qasjen paqësore me të cilën e përballuam procesin torturues të manipulimit të rezultatit ditën për diell. Kam ndjekur me vëmendje shpalosjen e një fryme revolte në editoriale, analiza e blogje, ku opozita akuzohet si e pafuqishme përballë të keqes që ka kapur për fyti Shqipërinë dhe si e paaftë për të mbrojtur me forcë votën e marrë nga populli.

Mirëkuptoj revoltën e secilit që ndihet keq në këtë situatë dramatike, por nuk ndaj dot opinionin se këtë situatë e zgjidh vetëm reagimi i dhunshëm i opozitës. Dhe nuk kam asnjë pendesë për qasjen tonë paqësore ndaj procesit, për rrugën ligjore që ndoqëm deri në fund, për mosnxitjen e dhunës kur një dorë zullumqarësh të veshur me toga të zeza vulosën me vendim gjykate grabitjen e dhunshme të mandatit tonë për Tiranën. Ashtu siç nuk kam asnjë dyshim në domosdoshmërinë e kursit tonë të ri politik, të betejës sonë parlamentare për të reformuar Kodin Zgjedhor bazuar mbi të gjitha konstatimet e rekomandimet e raportit të ODIHR-it, të shtimit të rrugëve e të intensitetit të komunikimit me qytetarët për hallet e mëdha të vendit, të nevojës për t’u dhënë shqiptarëve një alternativë të qartë qeverisëse, si edhe të të kuptuarit nga të gjithë se opozita as nuk është qeveri që mban përgjegjësi për të zezat që qeveria i bën popullit, as nuk mund të kthehet në qeveri përveçse përmes votës së popullit. Këto janë orë të vështira për të gjithë ata që s’jetojnë në oborrin e pushtetit të Saliut, edhe për opozitën padyshim, por në kohë si këto secili, çdo qytetar, çdo grup interesi, çdo bashkësi, duhet të bëjë detyrën ndaj vetes, duke e luftuar këtë pushtet me të gjitha mjetet e rezistencës paqësore, me të gjithë forcën e fjalës e të protestës qytetare, jo duke pritur që opozita t’i zgjidhë si me magji problemet e mëdha që na mundojnë të gjithëve, apo të dalë përditë para publikut për të thënë: “Më ka çu nana me la gojën!” për çdo gjë që ndodh në këtë vend. Këtë nuk e bën asnjë opozitë askund, ashtu sikundër nuk është opozita që udhëheq revoltat në Londër, Athinë, Paris apo kudo ku qytetarët shpërthejnë në protesta të asaj natyre”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›