E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kumtet nobeliste nga Harvardi

1.

Askush nuk e priste që Presidenti Obama, pa celebruar ende vitin e parë në Shtëpinë e Bardhë, do të shpallej nobelisti i paqes për 2009. Por juria e "Nobelit" e shikon botën me optikën skandinave. Duke kurorëzuar një President për ëndrrat, frymëzimin, shpresat dhe guximin që i dha njerëzimit, juria që i merr vendimet në rajonin më paqësor të planetit, na dha një kumt sesi duhet të jetë e ardhmja e tij.

2.

Vite më parë, profesori i Harvardit, Samuel Huntington, hipotezoi se në kushtet kur lufta ideologjike midis dy blloqeve arriti në terminalin e fundit, ajo do të zëvendësohej nga një betejë tjetër po aq e ashpër dhe e paparashikueshme: lufta midis qytetërimeve. E pritur me skepticizëm nga shumë studiues dhe analistë tradicionalistë, teza mbi përplasjen e qytetërimeve shkaktoi megjithatë një tronditje në politikën botërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Koha provoi se mbarimi i luftës së ftohtë u pasua nga nxitja e konflikteve të nxehta në shumë rajone të globit, të cilat u shkaktuan nga diferencat, perceptimet dhe kontradiktat me bazë etnike dhe fetare. Si rrallëherë në histori, etnitë dhe besimet fetare, si asete thelbësore të qytetërimit, u shndërruan në potenciale shpërthyese në zhvillimet botërore. Nga tetë qytetërimet kryesore botërore të identifikuara nga Huntington, (perëndimor, ortodoks-lindor, amerikano-latin, islamik, japonez, kinez, indian dhe afrikan), dekada e parë pas shtrimit të tezës hantingoniane provoi se konfliktet u ndrynë në përplasjet midis qytetërimit perëndimor dhe atij islamik, si dy qytetërimet më tonëdhënëse të zhvillimeve planetare. Thënë më saktë, me kundërvënien e qëllimtë të dy qytetërimeve dhe përdorimin e diferencave të tyre për qëllime konflikt-nxitëse. Për fat të keq, mjaft nga parashikimet e profesorit u shfaqën në horizont dhe kërcënuan seriozisht paqen dhe rendin botëror.

Përplasjet midis Perëndimit dhe Islamit u konkretizuan në nivelin makro e mikro-civilizues në tri nivele. Niveli i parë ishin ballafaqimet kulturoro-politiko-ideologjike midis dy qytetërimeve në plan global dhe gjeopolitik, pra midis Perëndimit si qytetërim perëndimor dhe Islamit si qytetërim lindor. Niveli i dytë ishin konfliktet rajonale, përfshi ato në Gadishullin Ballkanik. Niveli i tretë u sendërtua në konfliktet brenda shoqërive perëndimore, si një ballafaqim i vlerave qytetare të emigrantëve me origjinë nga vendet islamike dhe vlerave të shoqërive pritëse perëndimore. Dëshiroj, megjithatë, të përsëris, më shumë sesa ballafaqime qytetëruese, kulturore e vlerore, këto përplasje ishin (dhe mbeten) sponsorizime që vijnë jo nga thelbi dhe brenda, por nga sipërfaqja dhe jashtë qytetërimeve. Kryesisht nga faktorë jo qytetërues. Duke qenë të tilla, perceptimet reciproke negative mund të shndërrohen nga asete shpërthyese e konflikt-nxitëse në asete pajtuese dhe kohezioni kulturor e civilizues. 13 vjet pas parashtrimit të tezave të Huntington, ish-studenti i Harvardit, Barack Obama, po bën pikërisht këtë: nxitjen e dialogut dhe harmonisë midis kulturave, qytetërimeve dhe besimeve fetare. Dhe e bën jo thjesht si një seminarist i lëndës "Feja dhe politikat globale", por nga pozicioni i njeriut më të fuqishëm të botës.

3.

Kurorëzimi i Presidentit Obama si nobelist i paqes u prit me skepticizëm nga disa rrethe intelektuale dhe politike botërore. Problemi nuk është se kjo çështje u politizua. Moskuptimi i kumtit të jurisë norvegjeze ishte më i gjerë sesa i politizuar. Ishte si të thuash një moskuptim intelektual. Jo e gjithë bota intelektuale arriti ta kuptojë menjëherë novatorizimin e jurisë "Nobel" në ndryshimin dhe zgjerimin e kritereve për dhënien e çmimit "Nobel". Bota është mësuar që nobelistët e paqes të shpërblehen për arritje të caktuara konkrete, në kohë dhe vende të caktuara, mes palëve të përfshira në konflikte. Për ta ilustruar, tre presidentët amerikanë nobelistë janë kurorëzuar për meritë të arritjeve konkrete si produkte në shërbim të paqes botërore. Presidenti Teodor Rusvelt u vlerësua më 1906 për ndërmjetësimin për t‘i dhënë fund luftës ruso-japoneze dhe disa arbitrime të suksesshme ndërkombëtare. Presidenti Willson u vlerësua më 1919 si ideator dhe themelues i Lidhjes së Kombeve. Presidenti Carter u vlerësua më 2002 për kontributin e dhënë përgjatë disa dekadave në zgjidhjen e konflikteve, përparimin e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe zhvillimit ekonomik shoqëror të vendeve të prapambetura. Të tre paraardhësit e Presidentit Obama u kurorëzuan, pra, në fund të përpjekjeve të tyre dhe pasi kishin prodhuar një produkt final të vlerësuar botërisht. Ndërsa Presidenti Obama u kurorëzua në vitin e parë të mandatit presidencial. Ai u vlerësua jo për një arritje konkrete, por për frymën që mbjell e shpërndan në botë, për inspirimin që krijon dhe të mirat që projekton. Është e admirueshme që tre të parët u vlerësuan për atë që bënë në të kaluarën e tyre. Por është po aq e admirueshme që i katërti u vlerësua për ndryshimet që juria e "Nobelit" parashikoi se do të ndodhin në botë në vitet që vijnë, për shkak të vizionit të nobelistit të saposhpallur. Më konkretisht, Obama u vlerësua për përpjekjet e tij në katër drejtime: shprehjen e qëllimit se ai do të punojë për arritjen e një rendi ndërkombëtar pa armë bërthamore; promovimin e marrëdhënieve miqësore me botën islame; zhvillimin e dialogut politik me të ashtuquajturit "diktatorë" majtistë të Amerikës Latine; rivendosjen e marrëdhënieve miqësore dhe të barabarta me shumë shtete europiane, me të cilat Presidenti Bush kishte pasur fërkime dhe në shumë raste qëndrimet e tyre i kishte anashkaluar.

4.

Edhe pse në fillim të karrierës presidenciale, nobelisti Barack Obama mendoj se është një nobelist i merituar. Obama President dha mesazhe të forta pajtuese sociale dhe përfshirëse. Jo rastësisht kumtet pajtuese dhe paqësore të tij iu drejtuan më së pari botës islamike, qytetërimit dhe kulturës islamike, fesë islame, qytetarëve myslimanë. Pra, mesazhet dhe kontributi i tij në shërbim të paqes u drejtuan atje ku mospajtimi dhe diversiteti rrezikonin të shndërroheshin në përplasje dhe konflikte: drejt qytetërimit islamik, me të cilin qytetërimi perëndimor dhe kombi amerikan ishin në një status marrëdhëniesh delikate. Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe mjaft vendeve islamike nuk janë më në ditët e tyre më të mira. Ato mbeten ende të tendosura e të shoqëruara nga episode konfliktuale dhe të përgjakshme. Bota ka bindjen se mesazhet pajtuese të Obamës do të arrijnë, në mos kanë arritur, jo vetëm në kancelaritë e shtatmadhorive, por edhe në llogoret dhe transhetë e betejave ku ndeshen djemtë amerikanë dhe djemtë myslimanë. Obama e orientoi diplomacinë amerikane atje ku ajo (dhe mbarë planeti) kishte më tepër nevojë: marrëdhëniet amerikano-myslimane, marrëdhëniet palestinezo-izraelite, të drejtat e njeriut për të huajt (Guantanamo) etj. Bota mori frymë më lirisht pas asaj që mund ta quajmë Doktrina Paqësore Obama. Kombi amerikan është i vetmi komb në botë që prej krijimit të tij ndodhet vazhdimisht në luftë. Dhe ndodhet në gjendje lufte jo për të mbrojtur territoret e tij, por paqen e të tjerëve. Nëse rrethanat e kanë detyruar Amerikën të dërgojë bijtë në luftë për mbrojtjen e paqes, Obama nisi rrugën e mbrojtjes së paqes me mjete paqësore. Nëse soft power, e përkufizuar kështu nga Joe Nye, një tjetër profesor, aktualisht ambasador i Presidentit Obama, ishte deri dje një model novator, sot po shndërrohet në tendencë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Atë që profesori i Harvardit, Samuel Huntington, që prej disa muajsh nuk jeton, paralajmëroi se mund të ndodhte, ish-studenti i tij po e shmang nga skenarët e zhvillimeve botërore. Atë që profesori Nye e formuloi si një teoremë të politikës e diplomacisë ndërkombëtare, ish-studenti i Harvardit po e zbaton si një ushtrim praktik të presidencës amerikane. Këto janë kumtet e nobelistit Barack Obama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›