E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: T‘i bëjmë barrikadë manipulimit

Kreu i socialistëve, Edi Rama, ka theksuar nga Berati se protestat e opozitës do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesës për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai ka ftuar nga Berati, qyteti që u zgjodh i dyti për të vijuar protestat e opozitës, të gjithë qytetarët të marrin pjesë në protestën e 20 nëntorit, që do të zhvillohet në kryeqytet dhe që, sipas Ramës, do të bëhet "barrikadë e manipulimit".
"Më 20 nëntor ne do të kërkojmë të drejtën tonë për t‘i bërë barrikadë manipulimit. Ky pushtet nuk vendos dot për ne, sepse nuk e votuam. Nëse Berisha do të mbajë të mbyllura votat tona, ne nuk do të kërkojmë me dhunë hapjen e tyre, por nëpërmjet protestave do të kërkojmë që shteti të ndahet nga pushteti i votave të vjedhura, ne do të kërkojmë votën e lirë dhe të jemi të barabartë përpara ligjit, ne do të kërkojmë që zgjedhjet të hetohen në Parlament", ka thënë kreu i selisë rozë.
Sipas tij, mospranimi i hetimit tregon edhe njëherë frikën e qeverisë përballë votës së lirë, ndërkohë që ai ka konfirmuar qëndrimin për bojkotin e Parlamentit. "Unë ju përsëris edhe një herë nga ky shesh, se ne nuk do të hyjmë në Parlament pa u zbardhur e drejta e votës. Kush shqetësohet nga mungesa jonë duhet të na kuptojë, ashtu siç na kuptoni ju, pasi beteja jonë pa kompromis është beteja për lirën e votës", ka deklaruar nga Berati, kreu i PS-së. Ndërkohë, ai ka akuzuar sërish kreun e qeverisë, Sali Berisha, se e ka vendosur pushtetin në funksion të interesave të familjes së tij.
"Ju jeni dëshmitarë të një tjetër befasie të Berishës, atë të marrëveshjes detare, e cila tregoi dhe një herë se ai njeri qeveris vetëm me një mision, për familjen dhe interesat e saj. Berisha pushtetin e ka vënë në funksionin ekonomik të familjes së tij dhe zgjedhjet u minuan për të ricikluar pushtetin e familjes Berisha. Hapja e kutive nuk është vetëm e drejta juaj e votës, por dhe e drejta juaj për të jetuar në një qeverisje më të mirë", është shprehur Rama.
Kreu i selisë rozë është shoqëruar dje në Berat nga Gramoz Ruçi, Valentina Leskaj, deputetët socialistë të Qarkut të Beratit dhe Spartak Ngjela, Skënder Gjinushi, Ndre Legisi, Erion Veliaj. Protesta është organizuar në sheshin përpara pallatit të kulturës "Margarita Tutulani" dhe ka mbledhur me mijëra anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie, të ardhur nga Skrapari dhe Kuçova. Sipas kreut të socialistëve, protesta e opozitës për transparencën e votave të 28 qershorit ka zbritur në Berat, pasi ky ishte vendi ku u grabit një mandat deputeti.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›