E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kushtetuesja të gjykojë mbi pretendimet"

Partia Socialiste e ka gati draftin me të gjitha argumentet që do t‘i paraqiten Gjykatës Kushtetuese. Dorëzimi i ankimimit është shtyrë, për shkak të mungesës së kreut të Partisë Demokracia Sociale, i cili duhet të hidhte firmën. Kjo u ka dhënë kohë ekspertëve të selisë rozë që t‘i japin dorën e fundit për ta dorëzuar në fillim të javës tjetër dokumentin në Gjykatën Kushtetuese. Sakaq, Kuvendi e ka shtyrë për më vonë miratimin e marrëveshjes dhe kjo i jep kohë opozitës për të vepruar. Në argumentet e tyre juridike, ekspertët e PS-së u kanë dhënë rëndësi të veçantë mendimit dhe deklaratave të ekspertëve të pavarur, sipas të cilëve kjo marrëveshje cenon pavarësinë territoriale të Shqipërisë, duke i kaluar hapësirë detare Republikës së Greqisë.
Ekspertët thonë se marrëveshja e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Greqisë është hartuar në kushte të disfavorshme për Shqipërinë, duke mos mbajtur parasysh interesin kombëtar dhe tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë. Duke filluar që nga viti 1914 me komisionin e fuqive të mëdha që përcaktoi kufijtë mes Shqipërisë e Greqisë dhe deri në ditët e sotme, ku Shqipëria dhe Greqia e kanë marrë të mirëqenë territorin në kufijtë aktualë. Njëkohësisht, në draft theksohet se dy vendet fqinje kanë respektuar deri më sot një kufi konvencional të pranuar në mënyrë reciproke dhe se kjo marrëveshje u shkel duke hequr një vijë tjetër kufitare në favor të Greqisë.
Synimi kryesor i PS-së, që në këtë rast e mbështet kërkesën e saj ankimore në atë çfarë thonë ekspertët e fushës, është që të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që të provojë nëse marrëveshja cenon ose jo tërësinë territoriale të vendit tonë. Në këtë ankimim, PS-ja ka përfshirë mungesën e transparencës, mungesën e konsultimeve, si edhe mungesën e hartës gjeografike që do të shërbente si referencë. PS, PSD, G99, PLD, PDK e PDS janë firmëtare të kësaj kërkese ankimore me nismën e partisë më të madhe të opozitës. Dy ditë më parë, kryetari i kësaj partie, Edi Rama, mblodhi krerët e partive që e mbështesin animimin, duke marrë prej tyre firmat që e mbështesin nismën. Pas takimit, Rama tha se është e nevojshme të ketë rinegociim për këtë marrëveshje mes dy vendeve, në mënyrë që ajo të mos kontestohet. Pas shumë reagimesh e deklaratash të ekspertëve të fushës, kryetari i PS-së theu heshtjen, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe indiferentizëm ndaj zërave që e kundërshtojnë atë. Veç të tjerash, qëndrimi i ri i selisë rozë ka shkaktuar një debat mes saj dhe Ministrisë së Jashtme, në krye të së cilës është ish-aleati Ilir Meta. Pjesë e sulmeve ka qenë qëndrimi i Ilir Metës në kohën kur ai ka qenë në opozitë, ku e ka dënuar këtë marrëveshje dhe madje ka deklaruar se Berisha po shet një pjesë të territorit shqiptar dhe qëndrimin aktual në favor të saj. "Marrëveshja është krejtësisht e pavend dhe krejtësisht e padenjë, e cila pa asnjë dyshim duhet të zmbrapset për të krijuar kushtet që të ketë një rinegociim, ku ata që e përfaqësojnë vendin tonë duhet ta përfaqësojnë denjësisht, si të barabartë mes të barabartëve", tha Rama. Kjo, shtoi ai, duhet bërë në respekt të plotë të fqinjësisë së mirë, në respekt të plotë të miqësisë tradicionale, në respekt të plotë të ardhmërisë së dy popujve tanë dhe në funksion të atyre interesave që asnjëherë nuk mund të negociohen dhe aq më pak të preken për arsye që për momentin janë shumë të errëta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›