"Top Media" përkujton themeluesin e saj
"Gëzuar ditëlindjen Tani! Ëndrra vazhdon"! Kështu është festuar këtë vit data e lindjes së Dritan Hoxhës, themeluesit të kompanisë mediatike më të suksesshme në Shqipëri, "Top Media Group". Dje, më 16 tetor, në 41-vjetorin e lindjes së tij, familjarë, miq, kolegë e bashkëpunëtorë, por edhe stafi i "Top Medias", kanë qëndruar së bashku në një mbrëmje të veçantë, ku Tani nuk ka munguar për asnjë çast. Me rastin e përvjetorit të Dritan Hoxhës, si dhe me rastin e hapjes së sezonit të ri televiziv në "Top Channel", është festuar mes gjithë dashamirësve dhe ndjekësve të ëndrrës së tij. Jo më kot edhe zonja Vjollca Hoxha, presidente e "Top Media Group", ka theksuar edhe më parë se suksesi i kompanive tona vazhdon falë impenjimit, sakrificës dhe motivimit të madh dhe se për sa kohë kompanitë që Tani krijoi korrin sukses dhe janë të parat në fushat e tyre, edhe Tani është këtu me ne. Dritan Hoxha lindi më 16 tetor 1968 dhe ndërroi jetë më 23 maj të vitit 2008, në një aksident fatal automobilistik. Dritan Hoxha themeloi grupin e fuqishëm mediatik në vitin 2001, i cili u imponua me shpejtësi në tregun shqiptar, duke u bërë ndër zërat më të rëndësishëm. Fillimisht ai ngriti radion "Top Albania", e më pas televizionin "Top Channel". Ai u bë promotor edhe i projektit të guximshëm të futjes në Shqipëri të platformës dixhitale tokësore dhe më pas asaj dixhitale satelitore, platformë jo mjaft e përhapur në Europë, si dhe programet televizive në celular dhe në formatin më të avancuar të kohës, High Definition. "Top Media Group" është një kompani e përbërë nga disa produkte të rëndësishme në tregun mediatik kombëtar.