E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumtime qershori nga Shkodra në Tiranë

Duke kaluar në zemrën e dy qyteteve të mëdha të vendit, si gjithmonë e bukura me të shëmtuarën bëjnë duelin e radhës. Kush do të fitojë?


Me shkue në Shkodër me mendimin se po gjen diçka prej "Pasqyrave të Narçizit" të Ernest Koliqit asht si me pa andrra në beze.


Megjithatë mund të gjejsh shumë gjana, disa prej të cilave pozitive, siç asht për shembull fakti që njerzit që takon rrugës duken ma të buzëqeshun dhe vetë ajri nuk e ka ma atë tensionin e para disa viteve, kur nga çasti në çast mund të ndodhte gjithçka.


Qendra e qytetit për synin normal ka marrë nji pamje tjetër. Duket si nji birrari e madhe, anash së cilës kalimtarët ecin tue iu gjegjë përshëndetjeve majtas e djathtas. Në mes rruga asht e shtrueme me gur lumit me llaç, nji kalldrëm shumë i veçantë, që në nji qytet ku bie borë dhe ka ngrica kushedi se sa mund të durojë. Kudo pallate të reja të shëmtueme kanë zaptue qytetin, tue fshi prej tij kopshte dhe lulishte, bahçe dhe gjelbrim.


Takoj miq të rinj e të vjetër. Nji pjesë e tyne komentojnë fjalimin e kryetares së kuvendit para fëmijëve me rastin e festës së 1 qershorit. E kam pa atë fjalim në facebook dhe më kujtoi mënyrat sesi na e prishnin dikur gëzimin e 1 qershorit tue na çue me mbledhë kamomil apo tue na detyrue me u marrë me marrina tjera të urryeshme si "puna e dobishme". Çdo kohë ka pezmatimet e veta.


Shihet qartë se tashma kryetarja nuk e ka ma mbështetjen e dikurshme në vendlindje, por kuptohet lehtë se nji pjesë e atyne që i dalin kundër e bajnë thjeshtë prej nji shtyse fondamentaliste.


Ata në fakt nuk flasin për mungesën e ideve dhe të trajtimit të problemeve reale, për nivelin e cekët dhe për fjalimet shabllone e të mërzitshme me të cilat ajo kënaq të mëdhaj e të vegjël, por kufizohen tue e sha të nisun prej nji instinkti të lashtë që e kanë të vështirë me e mbytë.


Në nji mbramje qershori në Shkodër pret se mos po ndien aromën e jargavanit apo të karajfilave të famshëm, por jo, tymi i qelbët i plehnave të djegun, që era zemërgjanë bjen prej "varrezave të dëshmorëve" përmbyt lagjet lindore të qytetit. Ajri ka lagështinë e s'merret frymë prej asaj ere.


Ndoshta askush nuk e din në atë vend se dioksina asht nji helm i rrezikshëm që komprometon sidomos shëndetin e fëmijve!


Si ka mundësi që në qytetin tem nuk ka njerëz me ndjeshmëni qytetare që t'i dërgojnë nji peticion ministrit të Mjedisit për me i kërkue zgjidhjen e menjihershme të këtij problemi!
A thue presin që të çohet prej vorrit Pashko Vasa, Luigj Gurakuqi dhe Migjeni, tek kambët e të cilëve qyteti jem djeg plehnat, për me i shkrue dy rreshta atij ministri!


Apo ndoshta fama e tij, e lidhun me zjarre dhe shpërthime vdekjeprurëse, i pengon me u ankue për zjarre e për tymna që mbysin pak nga pak në kohë!
Tiranë, qershor 2010.


Mbas kësaj here kam vendosë që kur të shkoj në Tiranë të mos rri ma tek miqtë e mij në Rrugën e Kavajës. Altoparlanti i fuqishëm i xhamisë së asaj rruge çante me përpikmëni natën me zanin e vet të tmerrshëm tue i kujtue njerzve se ishte aty dhe që sot ma shumë se kurrë kishte nji za të fuqishëm. Në farmacinë poshtë kishin mbarue hapat e gjumit.


Natën e dytë s'fjeta derisa falja nuk u ba. Mesazhi ishte shumë i qartë edhe për miqtë e mij të huej që nji muej ma parë kishin ardhë me mision prej Komisionit Europian.


Ai za aq i naltë nuk ka të bajnë asgja as me sensin fetar dhe as me përfytyrimin që ne kemi krijue prej përshkrimeve të udhtarëve të huej të dy shekujve të kaluem. Asgja ekzotike, piktoreske, poetike, por vetëm nji fondamentalizëm agresiv që matet me decibel dhe që ka marrë vrull sidomos mbas vitit 2005.


Trafiku i tmerrshëm i Tiranës përban nji sfidë të përditshme për fëmijët dhe pleqtë. Shoferët duket se janë anmiqtë e kambësorëve. Ma të pamëshirshmet janë makinat me targa qeveritare që ecin pa u ndalë para dritës së kuqe, tue lanë shtang policët që s'dijnë se çka me ba.


Asgja s'na ndalë, as semaforat dhe as kambësorët e mjerë, po hyjmë me yrysh në Europë.


Kafet e Bllokut janë përplot me të rinj. Duket se kanë shumë gjana të randësishme me kumtue çdo ditë, ose s'kanë asgja dhe presin Godonë e rradhës që t'i shpëtojë përkohsisht!


Ajri asht i ndotun dhe plot pluhun. Skënderbeu mbikqyrë punimet rreth tij dhe asht i vetmi që nuk e çon zanin në nji vend ku çdo budallë e teveqel e ka përherë nji mikrofon në dorë.


Para Bankës Kombtare nja dy duzina fytyrash kurioze dredhin zingjirin tue tundë do letra e tue i pëshpëritë kalimtarve "bono, valutë, euro, dollarë".
Në faqen e Muzeumit Kombtar varet nji poster i madh me "Samaritanën", vepër e piktorit Lin Delija. Mbrendë asht ekspozita antologjike me veprat e tija. Nji arkitekt i talentuem dhe nji studjuese e mirënjohun e kanë kujdesue mjeshtrisht atë.


Më kot kërkova edhe kësaj here me pa veprat e Delisë në Galerinë Kombtare, por nuk i ekspozojnë. Janë 27 vepra që dy koleksionista, nji gjermane dhe nji italian, kanë falë që në vitin 2004, por hapsina e vetme që u asht dhanë deri tash asht ajo e magazinës së Galerisë.


Si gjithmonë e bukura me të shëmtuemen bajnë duelin e rradhës. Kush do të fitojë?
Në këtë çast betejën e ka fitue e shëmtuemja, por siç këndonte dikur nji bashkëqytetar i jemi: "lufta asht e ashpër dhe kushedi ku do të dali, prandaj ngrehet litari edhe përplasen njerzit".


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›