Pronat në "Gjirin e Lalëzit", pritet mbyllja e hetimit për Vatnikën

Ish- kreu i Agjencisë së Kthimit të Pronave akuzohet bashkë me dy topografë për tjetërsim prone
TIRANË- Njësia e Task-Forcës në prokurorinë e kryeqytetit, pas hetimeve disa mujore zbardh "abuzimet" me pronat nga ish-drejtuesi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, personit nën hetim Tunxh Vatnikaj dhe dy topografëve në plazhin e Durrësit, konkretisht në zonën e "Gjirit të Lalëzit".
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Task-Forcës, të cilët sqaruan se pas hetimeve gati njëvjeçare janë ngritur dyshime të bazuara në prova për tjetërsimin e rreth 73 hektarëve tokë të familjes Preza.
"Nga verifikimi i dokumentacioneve të deponuara bashkë me kallëzimet, prokuroria ka konstatuar se Tunxh Vatnikaj me të njëjtën strategji të "tjetërsimit" të 48 hektarëve tokë në zonën e "Gjirit të Gjeneralit" për të cilën po gjykohet, ka tjetërsuar dhe ndryshuar pronarët në zonën e njohur si "Gjiri i Lalëzit" me rreth 730 mijë metra katror të familjes Preza",-thuhet nga prokuroria.
Sipas akuzës, kjo pronë prej 73 hektarësh, që ndodhet në bregun e detit si pjesë e 120 hektarëve tokë të familjes Preza, i është dhënë një familjeje tjetër, e cila kishte dy parcela të emërtuara "Rrume" dhe "Kaleme" me sipërfaqe respektive 599 dynym dhe 125 dynym të ndodhura në fshatin Lalëz- Rrotull të komunës së Ishmit, larg bregut të detit.
Por, me anë të falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit, 73 hektarë tokë nga 120 hektarë që ndodhej e regjistruar në emër të familjes Preza, i ka kaluar me vendim të AKKP-së një familjeje tjetër, që nuk e kishte pronën e vet në atë zonë ku i ishte dhënë.
"Vlera monetare e 73 hektarëve tokë të "tjetërsuar" nga prona e familjes Preza kap shifrën e rreth 92 milionë euro. Kjo pronë e tjetërsuar kap një sipërfaqe prej 724.500 m2, me një vendosje gjatësore 2.900 metra dhe me gjerësi rreth 250 metra.
Të dy këto parcela, që realisht sipas dokumentacioneve arkivore janë shumë larg bregut të detit dhe jo siç janë vendosur tashmë në pyllin e pishave të Gjirit të Lalëzit, i krijuar gjatë viteve 1967 në mënyrë vullnetare nga pyjorja e Durrësit"-thuhet nga prokuroria, që tashmë kanë marr nën hetim dhe pritet t'i komunikoj akuzën shtetasit Tunxh Vatnikaj dhe dy topografëve, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur.
Sipas prokurorisë, kjo pronë prej 120 hektarë tokë e familjes Preza ndodhej nën emrin e tyre që nga viti 1750 - 1800 sipas dokumenteve arkivore dhe që nga viti 1923 figuronte edhe në hartat e çifligut të tyre në këtë zonë.