Kundër Milanit, ndjenjë e veçantë

Pas rezultateve të shkëlqyeshme që po arrin në Serie C (Liga e tretë italiane), Novara e Samir Ujkanit të mërkurën do të përballet me gjigantin italian, Milan, në kuadër të së tetës së finales së Kupës së Italisë.
Deri tash, Rossonerët i kanë sjellë fat portierit kosovar: Ujkani kishte debutuar në Serie A pikërisht kundër Milanit, sa luante te Palermoja. Ai gjithashtu kishte debutuar në Kombëtaren shqiptare, gjithashtu kundër 7 herë kampionit të Evropës.
Kjo do të jetë hera e tretë që portieri kosovar do të luajë kundër Ronaldinhos dhe shokëve të tij. “Gjithnjë kur luaj kundër Milanit, ndiej kënaqësi të veçantë, kjo më ndodhi në dy ndeshjet e para, por edhe tash do të jetë një ndjenjë më ndryshe nga ndeshjet tjera. Ngase, qysh i vogël, unë kam qenë tifoz i këtij klubi”, u shpreh të hënën Ujkani për Express.
Novara ka bërë mrekulli këtë sezon në Kupën italiane, pasi që ia doli t’i eliminonte dy skuadrat tjera të Serie A, së pari Parmën, e më pas edhe Sienën.
Objektiv i këtij klubi është që ta befasojë edhe Milanin, në San Siro. “Ne sigurisht se hyjmë në fushë për rezultat pozitiv, gjasat janë 50 me 50 për qind. Milani luan me rezervistë, por edhe ne luajmë me rezervistë, sepse jemi më shumë të përqendruar te kampionati dhe trajneri nuk dëshiron të rrezikojë”, tha Ujkani.
Përfaqësuesi shqiptar dëshiron të mbetet te klubi aktual, Novara, së paku deri në fund të sezonit, edhe pse spekulohet se mund të rikthehet te klubi që e mban kartonin e tij, Palermo, në janar.
“Unë dëshiroj 100 për qind të mbetem te Novara, por nuk vendos vetëm unë. Me Novarën synojmë që të ngritemi në Serie B, e nëse kjo ndodh, atëherë do të preferoja të luaja edhe një vit në ligën e dytë italiane (Serie B) me këtë ekip, për të bërë më shumë përvojë”, vazhdoi Ujkani.
Ndeshja ndërmjet Milanit dhe Novarës, ku luan edhe kosovari tjetër Rijat Shala, do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin San Siro, nga ora 16.