E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Elektra” me elementë shqiptarë

Në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë është lajmëruar si premierë e parë e 2010-s një vepër shumë e njohur: “Elektra” e Sofokliut. Regjisori Adonis Filipi ka përzgjedhur kastën e aktorëve, skenografin, kostumografin e koreogragfin. Luiza Xhuvani, Roza Anagnosti, Bujar Asqeriu, Ahmet Pasha, Vasian Lami, Marjeta Larja, Monika Lubonja, Violeta Trebicka, Erjona Kakeli, Elida Janushi etj., një pjesë e tyre të angazhuara në korin antik, do të ngjiten në skenë në premierën që pritet të vijë në muajin shkurt. Për t’i futur në brendësi të pjesës, por edhe për të krijuar një panoramë më të gjerë për “fenë” e tragjedisë antike greke, për tri ditë aktorët u ulën të punojnë me teatrologen greke, Dimitra Kokino, pedagoge e antikitetit në Akademinë e Arteve në Londër. Kokino u vu të shpjegonte mbi fenomenin e misticizmit, për mëkatin dhe ndëshkimin në tragjedinë greke, për simbolikën që gjendet paralelisht në disa prej veprave antike greke, deri më sot të përshtatura e të ngjitura në shumë skena e gjuhë të botës.

“Në teatrot tona ngjitja e një tragjedie antike është e zakonshme, nuk bën përshtypje (për ta kuptuar i referohet edhe kushtit që një student që të diplomohet patjetër duhet të luajë një tragjedi antike greke). Shpesh, kalimi i veprave të antikitetit nga klasikja në trajtimin bashkëkohor, jo rrallëherë ka sukses, por po kaq janë edhe mundësitë e dështimit”, shprehet Dimitra. Duke iu referuar përshtatjes për skena të ndryshme dhe ndryshimit që pësojnë këto vepra, teatrologia merr si shembull teatrot angleze të cilat i njeh nga afër. “Trupat angleze e shikojnë një tragjedi greke nga prizmi shekspirian, sepse regjisorët janë të brymosur rrënjësisht me atë lloj teatri”, shprehet ajo duke theksuar se çdo vend mundohet t’i imponojë tradicionalen e tij. Për vënien shqiptare, regjisori Filipi shprehet se do të jetë mes klasikes dhe modernes.

‘Përmes një mizanskene dhe eksplorimi të thellë në karakterin e Elektrës, kërkimi regjisorial nuk do të mbetet veç në atë që teksti dramaturgjik e shpreh qartë, por do të shtrihet në kërkim të tingullit, të një figure komplekse ku duket jo veç heroina, por edhe nëna, edhe hiret e një princeshe”, shpjegon regjisori. Vepra e shqipëruar nga aktori Laert Vasili (do të ketë rolin e Orestit) do të vijë në prozë dhe jo si poezi.

Regjisori Filipi ka vendosur të ruajë korin antik, por sipas tij duke i dhënë gjurmë të autoktonitetit tonë. Në muzikalitetin e korit do të punohet për unifikimin mes elementëve tanë folklorikë dhe ata që sugjeron dramaticiteti i veprës. Duke mos dashur të zbulojë shumë, Filipi shprehet se simbolika do të zërë vend gjerësisht në komunikimin e tragjedisë me publikun, sikundër edhe skenografia e koreografia. Regjisori shprehet se duhet guxuar edhe me vepra të tilla, por mbetet të shihet se sa potencial ka vërtet në Teatrin Kombëtar për këto tragjedi antike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›