Viktimat e vërteta të Jozefinës
Gilman Bakalli
Para disa ditësh në një nga të përditshmet shqiptare, lexuesit patën mundësi të lexonin jo pa një farë interesi, artikullin me titullin intrigues “Fytyrat e Jozefinës”, të gazetarit shkodran Arben Çokaj. Gazetari Çokaj njihet tashmë nga publiku për artikujt e tij të shumtë me frymë të theksuar kritike ndaj politikbërjes qendrore e lokale. Artikulli në fjalë trajton disa të vërteta evidente në lidhje me përmasat e frikshme patologjike, që po merr vullneti për pushtet i znj. Topalli, në emër të së cilit ajo nuk zmbrapset të sulmojë këdo, që paraqet qoftë edhe rrezikun minimal për dobësimin e saj.
Midis të tjerash Çokaj konstaton se “viktimat politike të znj. Topalli janë Pjetër Arbnori, Ferid Hoti, Gjovalin Bzheta, Gilman Bakalli...”. Kur përmend termin “viktimë” artikullshkruesi ka parasysh me siguri faktin se personat në fjalë, e ndërprenë aktivitetin e tyre politik jo falë vullnetit të tyre, por në sajë të makinacioneve të nxitura nga znj. Topalli. E pranoj konstatimin e z. Çokaj, por sidoqoftë mendoj duhen saktësuar disa gjëra.
Pjetër Arbnori, pasi i rezistoi ferrit komunist, arriti majat e një karriere të suksesshme politike dhe nuk ma merr mendja se do të mbahet ndërmend si viktimë e znj. Topalli, por si një njeri me virtyte të rralla, si një model i politikanit që lidhi bashkë dy gjëra, që nuk jemi mësuar t’i shohim bashkë: politikën me etikën. Fakti që aktiviteti i tij politik u ndërpre nga manipulimet në një zonë zgjedhore, ku ishte dërguar për të humbur dhe jo për të fituar, e lartëson atë në kujtesën e shkodranëve, duke nxjerrë në dritë shëmtinë e atyre, që punuan për dështimin e tij.
Ferid Hoti, ka hyrë në histori të paktën për dy gjëra: si një mjek i aftë dhe human dhe për idetë e tij në lidhje me zhvillimin e qytetit të Shkodrës, ide të cilat ai shtjelloi në mënyrë kompakte në librin e tij “Shkodra – zonë e lirë”. Nuk ma merr mendja se dikush do ta kujtojë Dr. Hotin si viktimë të znj. Topalli, sepse karriera e tij u mbyll si këshilltar i Kryeministrit Berisha dhe jo si rezultat makinacionesh apo manipulimesh politike.
Sa i përket viktimës së tretë, Gilman Bakalli, mendoj se e njoh veten aq mirë sa të mos ia lejoj askujt të më kthejë në viktimë politike. Për suksesin apo dështimin tim në politikë mund të ngarkoj me përgjegjësi veçse vetveten dhe askënd tjetër. Dalja ime si deputet i pavarur ishte vendim i imi i vetëdijshëm, i marrë në mbështetje të frymës së pakënaqësisë që mbisundonte dhe mbisundon në qytetin e Shkodrës, në lidhje me nepotizmin e theksuar në “reformimin e administratës” lokale, në lidhje ekzistencën e një mentaliteti të theksuar komunist në drejtimin e PD-së, në lidhje me asimetrinë në shpërndarjen e investimeve në qytetin e Shkodrës etj.
Në lidhje me viktimën e katërt, z. Gjovalin Bzheta, po mjaftohem të them se është një nga ata shumë burra të mirë shkodranë, të cilët presin prej vitesh me një durim të lavdërueshëm të riciklohen prej Partisë Demokratike.
Të gjithë personat e mësipërm, të paraqitura si viktima të Topallit, ishin deputetë, të cilët, me aq sa di unë, e ushtruan aktivitetin e tyre në mënyrë të pavarur, duke mos lejuar që të keqpërdoren nga ajo. Ndoshta është plotësisht e vërtetë ajo që pohon z. Çokaj në artikullin e tij, kur i paraqet personat në fjalë, si viktima të znj. Topalli, por ama një gjë duhet theksuar: ato nuk u bënë vegla të saj për të ruajtur me çdo kusht karrigen e tyre.
Po cilat janë viktimat e vërteta të znj Topalli? Ata janë deputetët shkodranë të Kuvendit aktual, të cilët çdo veprim apo vendim të tyre e konsultojnë paraprakisht me të dhe marrin me telefon urdhra prej saj.
Viktima nr. 1: Astrit Bushati – i vetmi mësim që ka perfeksionuar gjatë këtyre 8 viteve të ushtrimit të pamerituar të mandatit të deputetit dhe kryetarit të PD në Shkodër, është që ta ulë kokën dhe të mos e kundërshtojë znj. Topalli kur kjo i hakërrehet tamam si një prind i nervozuar fëmijës së tij. E ka pranuar të kthehet në një vegël të znj. Topalli dhe rrjedhimisht në një viktimë të vërtetë të saj, sepse ka kuptuar se kjo i siguron mbijetesën në politikë. Nuk ka kryer deri më sot asnjë veprimtari të dukshme politike në mbështetje të interesave të zgjedhësve. Aktiviteti i tij kufizohet në propozimet për emërime nëpër drejtori të ndryshme të qytetit. Thjesht një kufomë politike, e cila e ka qelbur politikën në qytetin e Shkodrës, pasi ka krijuar modelin dhe kriterin, mbi bazën e të cilëve bëhet përzgjedhja e deputetëve në Shkodër.
Viktima nr. 2: ish-kolegia ime, znj. Trashani. Ajo e kuptoi shumë shpejt se, nëse konsultohesh për gjithçka paraprakisht me znj. Topalli mund të bëhesh ministre për ta integruar Shqipërinë në Evropë, por harroi se kjo mënyrë ushtrimi e pushtetit sjell çintegrimin e personit dhe humbjen e dinjitetit dhe të pavarësisë, që duhet të karakterizojë një deputet. Rasti publik më pikant, i cili e shfaqi Trashanin si një viktimë të znj. Topalli ishte depozitimi në Kuvend i propozimit për heqjen e disa kompetencave Presidentit të Republikës, propozim të cilin vetë znj. Trashani e tërhoqi, ashtu siç e pati futur: pa kurrfarë argumenti ligjor.
Viktima nr. 3: Ramiz Çobaj – i ardhur nga institucione të shoqërisë, të cilat janë perfeksionuar për t’i shndërruar njerëzit në viktima, e pranoi viktimizimin e tij me vetëdije, duke aplikuar kështu në politikë rregullat e bindjes pa kushte që mbisundojnë në profesionin e tij të vjetër. Z. Çobaj, ashtu si kolegu i tij Bushati, ka emëruar dhe shkarkuar në shërbim të interesave të znj. Topallit dhe nuk ka ngurruar ta përziejë profesionin e ri të politikanit me profesionin e tij të dikurshëm, duke e furnizuar shefen e tij të re me informata gjithfarëlloj.
Problemi kryesor që kanë deputetët Bushati, Trashani dhe Çobaj është pamundësia e tyre për të vepruar si individë të pavarur. Të tre kanë harruar se një politikan, i cili, me fjalën dhe qëndrimin e tij përçon vetëm vullnetin e njëshit, vullnetin e liderit të vet, i cili sheh si qëllim më vete ruajtjen e pushtetit të shefit dhe jo interesa më të gjëra që u shërbejnë të gjithëve, atëherë ky njeri nuk është i lirë, pra nuk është një individ, por thjesht një vegël, një bulon në makinerinë politike.
Të tre kanë arritur formën më e lartë të depersonalizimit të një individi, i cili, si deputet, duhet të përfaqësojë interesat e zgjedhësve dhe jo të shefit. Asgjësimi i individualitetit të tyre është hiç më pak se asgjësim i idesë alternative, asgjësim i mendimit ndryshe, asgjësim i lirisë, asgjësim i së ardhmes së një individi e të një kombi.
Të tre janë sot vegla qorre të znj. Topallit dhe me siguri viktimat e saj të së nesërmes.