Kundërshtim special
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hedhur poshtë mundësinë që Veriut të vendit t’i jepet statusi special duke rikonfirmuar përkrahjen për Planin e Ahtisaarit.
Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker gjatë vizitës së parë në Kosovë, në këtë kapacitet, ka thënë se në pjesën veriore duhet të sundojë ligji.
“Ajo në të cilin duhet të fokusohemi është shtrirja e sundimit të ligjit në Veri, zbatimi i Planit të Ahtisaarit dhe marrja e hapave të nevojshëm në këtë aspekt. Dhe kjo është ajo në të cilën duhet të fokusohemi tani. Integriteti territorial i Kosovës është i qartë dhe ajo që duhet të shohim është që mungesa e sundimit të ligjit të hiqet nga Veriu, sikurse në cilëndo pjesë të Kosovës”, ka thënë ai.
Por Reeker nuk ka pranuar të thotë nëse kjo është përkrahje për Qeverinë e Kosovës për veprime të tjera konkrete në pjesën veriore.
“Nuk mendoj se kjo duhet të përkthehet. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe ka të drejtë që të shtrijë autoritetin e saj në tërë vendin”, ka pohuar ai.
Reeker gjatë qëndrimit në Prishtinë ka takuar Kryeministrin Hashim Thaçi, përfaqësues të KFOR’it, EULEX’it si dhe të Kishës Ortodokse në Graçanicë.
Pas takimit me kreun e Qeverisë, Reeker disa herë iu është referuar zhvillimeve të fundit në Veri duke thënë se Kosova si shtet sovran ka të drejtë që të shtrijë autoritetin e vet në tërë territorin.
“Natyrisht, Kosova ka të drejtë si shtet sovran dhe i pavarur që të shtrijë autoritetin e saj në tërë territorin e kjo ka të bëjë me sundimin e ligjit që është një koncept kyç jo vetëm këtu, por në tërë Europën”, ka thënë ai.
Reeker ka përjashtuar edhe ndarjen e Kosovës, të cilën sipas shumë analistëve, Beogradi e ka shtyrë si opsion përmes veprimeve të serbëve në pjesën veriore.
“Ndarja nuk është opsion. Politika e SHBA’së është mjaft e qartë në këtë temë, sikurse edhe kolegët tanë duke përfshirë edhe Ministrin e Jashtëm gjerman, i cili ishte mjaft i qartë në këtë temë”, ka thënë ai.
“Siç e dimë, kufijtë janë vendosur dhe nuk do të ketë ndryshime të kufijve”, ka shtuar ai.
Reeker ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin mirëkuptimin që KFOR’i ka arritur me Qeverinë e Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka përjashtuar mundësinë që gjendja në Veri të kthehet në situatën e mëparshme duke thënë se SHBA’ja pret rifillimin e dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Europian.
“Mendoj se kolegu im nga BE’ja, z.Cooper e ka bërë mjaft të qartë sikurse edhe ne, se nuk mund të ketë kthim në status quo atje. Ajo që duam të shohim është kthimi në dialog dhe ne duam të kthehemi në dialogun e udhëhequr nga BE’ja, shpresoj në fillim të shtatorit”, ka thënë ai.
Amerikani ka përmendur edhe gatishmërinë e palës kosovare për dialog.
“E kemi dialogun që trajton çështje të veçanta që iu ndihmon njerëzve në jetën e përditshme. Ne do t’i kthehemi dialogut, Kryeministri tha se jemi gati ta bëjmë këtë”, ka shtuar Reeker.
Pas takimit me Reekerin, edhe Qeveria e Kosovës ka lëshuar një njoftim për media, ku thuhet se përpjekjet për të vendosur ligjshmërinë në pjesën veriore do të vazhdojnë.
“Në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, ne do të vazhdojmë përkushtimet tona për të përmbyllur me sukses të plotë kapitullin e ri të vendosjes së ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pjesën veriore të vendit, duke funksionalizuar gjykatat, duke shpërbërë strukturat kriminale, duke luftuar dukuritë e tjera negative në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Kjo është në të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime etnike, është në të mirën e zhvillimit ekonomik, të integrimit, të paqes dhe të stabilitetit në rajon”, ka thënë Thaçi.
Për takimin me diplomatin amerikan, Thaçi ka folur edhe në mbledhjen e Qeverisë, ku ka thënë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, e as status special për Veriun.
“Qëndrimi i Republikës së Kosovës është edhe vullnet i popullit të Kosovës dhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë. Nuk do të ketë ndarje, as de facto, as de jure të Kosovës. Nuk do të ketë status special, apo të veçantë brenda Republikës së Kosovës. Prandaj, debatet në këtë temë janë të kota, madje tema krejt të panevojshme dhe të dëmshme për përpjekjet tona për të normalizuar gjendjen në Veri”, ka pohuar Thaçi.