Qërim hesapesh në Bratislavë?
Duket se veprat kriminale të kosovarëve që ndodhen përkohësisht në shtete evropiane, nuk kanë të ndalur. Krimet që janë duke i bërë ata, kanë tmerruar banorët e vendeve ku kosovarët jetojnë.
Të premten e kaluar, në Bratislavë të Sllovakisë, kosovari Jeton Vokrri dyshohet se ka vrarë bashkëkombasin e tij, kosovarin tjetër, Vigan Gërguri nga Prishtina.
Pas aktit kriminal, policia ka identifikuar viktimën se është 27-vjeçari Vigan Gërguri, kurse si autor dyshohet të jetë Jeton Vokrri nga komuna e Podujevës. Sipas policisë sllovake, dyshohet se ky 32-vjeçar, përveç që ka kryer aktin e vrasjes, kishte adresë të lajmëruar në Hungari, ndërsa viteve të fundit jetonte në Republikën Çeke.
Sipas medieve sllovake, policia supozon që Jeton Vokrri mund të jetë dorasi i kësaj vepre ngase një ndër kamerat në afërsi të qendrës së taksistëve, ka xhiruar fytyrën e tij.
Sipas analizave të bëra nga policia, Jeton Vokrri dyshohet se është një specialist për vrasje, duke u bazuar në mënyrën e vrasjes së kryer si dhe rrjetin dhe stilin e jetë së tij në një nivel ndërkombëtar.
Po ashtu, është informuar se Jeton Vokrri dyshohet se e ka kryer këtë vrasje me porosi. Të dhënat shpjegojnë se i ndjeri ishte i lidhur me rrjetin ndërkombëtar të drogës, i cili me sukses ka zgjeruar rrethin e tij edhe në Bratisllavë, ku është një ndër rrjetet më dominante.
Policia ka apeluar se në rast se dikush e sheh atë, të lajmërojë menjëherë policinë dhe të mos ndërmerr diçka personalisht për arrestimin e tij, ngase Jeton Vokrri njihet si person tejet i rrezikshëm.
Mediat kanë raportuar se kanë kontaktuar entin e Kriminalistikës në Bratisllavë ku atyre u është shpjeguar se Jeton Vokrri është duke u kërkuar me një fletë arrest evropian si dhe përmes Interpolit.
Është thënë gjithashtu se ky Ent i Kriminalistikës është duke punuar ngushtë me policinë e Hungarisë dhe atë të Çekisë, raporton comeze.com. Vigan Gërguri besohet se është qëlluar për vdekje në mbrëmjen e së premtes në një tarracë të një lokali në Bratislavë.
Tashmë i ndjeri besohet se është nga Prishtina. Policia ka rrëfyer se ka kontakte të rregullta me familjen e të ndjerit, por nuk ka treguar se në cilin vend jeton familja e tij në Prishtinë.
Vigan Gërguri i lindur në vitin 1984, ishte arratisur për në Sllovaki në vitin 1997, pasi atë kohë policia e Serbisë e kishte rrahur atë ne qendër të Prishtinës në prezencën e nënës së tij. Së bashku me vëllaun e tij, Luanin, ata kishin fituar azilin dhe jetonin në Sllovaki.