E Diel, 1 Nëntor 2026

Kundërshtohet heqja e stemës

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare kritikojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë lidhur me largimin e stemës dhe simboleve të tjera shtetërore nga aktvendimet e gjykatave kosovare.

Ata ngrenë shqetësime se veprimet e tilla mund të kenë ardhur si pasojë e bisedimeve politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.Drejtori ekzekutiv në lëvizjen “FOL”, Petrit Zogaj thotë se asnjë institucioni nuk i takon dhe nuk është e drejtë që t'i heqë simbolet nga dokumentet zyrtare. Sipas tij, aktvendimet e sotme të gjykatave në Kosovë duken sikur të jenë shkruar nga persona të paautorizuar dhe të rëndomtë.

“Nuk besoj se mund të këtë ndonjë rast në botë ku vendimet e institucioneve publike të merren në një letër A4, pa logo, pa mbishkrim dhe pa nënshkrim poshtë, vendime këto që në këtë rast janë të gjykatave të Kosovës. Nuk ka asnjë shpjegim as logjik, as praktik, e as institucional, për këto vendime se si janë nxjerrë kohëve të fundit. Unë e kam parë një aktvendim dhe prapëseprapë nëse nuk e sheh vulën dhe e sheh vetëm pjesën lart, nuk e kupton ti për cilin institucion bëhet fjalë”, thotë Zogaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se kjo mund të ketë ndodhur edhe për faktin se serbët po kërkojnë që në fletëvotimet e tre nëntorit të mos ketë logo dhe, sipas Zogajt, kjo është strategjia e serbëve.

“Problemi po më duket se mund të lidhet edhe me debatin aktual për fletëvotimet. “Unë besoj që kjo është një lloj heqje dorë nga shteti, gradualisht, për hir të disa praktikave ditore – për hir të negociatave apo çfarëdo qofshin ato”, thekson Zogaj.

Mirëpo, këto pohime i hedh poshtë Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Kryesuesi i këtij këshilli, Enver Peci thotë se largimi i stemës së Republikës nuk ka të bëjë asgjë me bisedimet me Serbinë.

“Te vendimet gjyqësore, po mbizotëron mendimi që nuk duhet të përdoret kurrfarë logoje, përveç emërtimit të gjykatës dhe numrit të shkresës së lëndës. Mirëpo, kjo nuk ka lidhje kurrfare me serbë, apo me bisedime në Bruksel, apo diçka e tillë se edhe unë kam qenë në grupet teknike dhe asnjëherë nuk është përmendur kjo çështje”, deklaron Peci.

Kryesuesi i KGJK-së shpjegon se edhe në shtetet e tjera në rajon veprohet në të njëjtën mënyrë siç janë duke vepruar aktualisht gjykatat tona.

“Në asnjë vend në rajon nuk vendosen logot, për shkak se gjykatat nuk kanë logo të vet. Ndoshta e keni parë edhe Gjykata Kushtetuese ka logon dhe nuk e ka stemën e Republikës së Kosovës në vendimet e saj. Kështu që ky ka qenë një qëndrim ndoshta edhe me kryetarët e gjykatave në shkresat ku bëhet komunikimi të përdoren logot, po në aktgjykime jo, për shkak se bien në emër të popullit - të mos vendoset kurrfarë logoje”, sqaron Peci, duke shtuar se në vend-nënshkrimin e gjyqtarit është edhe vula, në të cilën vërehet stema e Kosovës dhe shkruan Republika e Kosovës dhe gjykata përkatëse.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë thënë se në aktvendimet e gjykatave së fundmi nuk figuron stema e Republikës së Kosovës, derisa në aktvendimet e viteve të kaluara kanë qëndruar ato.

Shoqëria civile konsideron se personat, të cilët kanë marrë vendime të tilla, duhet të japin shpjegime dhe përgjegjësi. Ata, madje, thonë se kjo çështje duhet të shqyrtohet seriozisht./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›