E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshtohet monopoli mbi çmimin e energjisë

Prishtinë, 18 gusht - Vendimi i  Komitetit drejtues të projektit “Kosova e Re” për t’i  dhënë investitorit privat të drejtën ekskluzive për të shitur rrymë në Kosovë pas privatizimit të distribucionit të KEK-ut, është cilësuar si një vendim që bie ndesh me ligjet e konkurrencës. Këtë vlerësim e kanë dhënë drejtues të  Komisionit Kosovar të Konkurrencës, të cilët së fundi  kanë kërkuar nga Komiteti Drejtues për “Kosovën  e Re” që të kenë qasje në punën rreth zgjedhjes së modelit të tregut për blerjen e energjisë elektrike.
Në kërkesën që këta të fundit u kanë dërguar ministrave pjesëmarrës në Komitetin për projektin “Kosova e Re” thuhet se qëllimi i Komisionit  të Konkurrencës është të shikojë reflektimet që mund të ketë ky model i tregut  nga aspekti i konkurrencës dhe Ligjit për konkurrencën. Komiteti Drejtues i projektit “Kosova e Re”, ku marrin pjesë ministra të Qeverisë së Kosovës, si dhe të agjencive të pavarura, me rastin e modelimit të tregut dhe hartimit të marrëveshjes për blerjen e energjisë në mes të gjenerimit dhe distribuimit, kanë caktuar një model tregu ku parashihet që investitorit t’i ofrohet edhe një marrëveshje afatgjatë për blerje të rrymës me kompaninë e distribucionit të energjisë elektrike në Kosovë, për të siguruar që TC “Kosova e Re” do t’i përmbushë kërkesat e Kosovës për energji elektrike.  
“Ky model i tregut interferon me konkurrencën dhe ligjet e konkurrencës. Ne nuk mund të paragjykojmë, por kemi opinione se operatori që do të jetë distributor do ta ketë të garantuar tregun për 20 vite. Vetë fakti që është vetëm një operator, do të thotë që çmimin e cakton ashtu si do vetë”, ka thënë Osman Ejupi, kryetari i Komisionit të Konkurrencës. Ai ka shtuar se modeli i tregut ende nuk e ka marrë formën e prerë, e që shpreson se do të ketë ndryshime.
“Ne do ta bëjmë një rekomandim dhe do t’ia dërgojmë Komitetit Drejtues për të kuptuar nëse këtë model e kanë menduar pa pasur parasysh Ligjin për konkurrencën. është vendim i tyre nëse do ta pranojnë këtë rekomandim”, ka thënë Osmani.
Sipas tij, aktualisht shteti ka monopol në sektorin e distribuimit, por ky monopol ka pasur një lloj kuptimi. 
“Do të ishte i pakuptimtë nëse ky monopol do t’i transferohej sektorit privat”, ka pohuar ai. 
Deri më tani Qeveria ka marrë shumë vërejtje nga shoqëria civile dhe përfaqësues të Kuvendit të Kosovës për krijimin e një monopoli privat në sektorin e shitjes së rrymës, vërejtje këto që nuk janë marrë parasysh.
Më herët ministrja e Energjisë ka mbajtur takime në Komisionin Evropian, që kanë pasur për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi midis obligimeve që ka Kosova si nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë (TKE). Ministrja Pula ka pohuar me këtë rast se Evropa do të hapë plotësisht tregun e energjisë elektrike në vitin 2015 dhe ky rregull do të vlejë edhe për Kosovën.
Koncepti i modelit të tregut të energjisë elektrike duhet të jetë i dizajnuar ashtu që të mundësojë ndërtimin e TC “Kosova e Re”, ndërtimin e kapaciteteve të tjera energjetike termike dhe të rinovuara, të mundësojë ristrukturimin dhe privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit, të mundësojë konkurrencën e lirë dhe të jetë në pajtueshmëri me obligimet që ka marrë Kosova si anëtare e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
Fillimisht këshilltarët e transaksionit të projektit “Kosova e Re”  kanë propozuar një koncept të modelit të tregut, i cili u është nënshtruar kritikave serioze nga institucionet vendëse, nga Komisioni Evropian, por më vonë edhe nga Banka Botërore. Si rrjedhojë e kësaj është hartuar një koncept tjetër i modelit të tregut, i cili mori parasysh komentet dhe vërejtjet e arsyeshme.
“Këshilltarët e transaksionit kanë hulumtuar këto tregje dhe kanë propozuar disa zgjidhje që janë në funksion të ndërtimit të TC “Kosova e Re” dhe të mundësojnë po ashtu privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit, por që zbatimi i tyre duhet të bëhet me kujdes që të mos bien në kundërshtim me Acquis Communotaire të BE-së”, ka thënë Pula.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›