E Diel, 1 Nëntor 2026

Kundërshtohet privatizimi i distribucionit dhe furnizimit të KEK-ut

Derisa drejtuesit qeveritar privatizimin e arsyetojnë duke thënë se buxheti i Kosovës nuk ka mundësi të investojë në KEK për të siguruar një furnizim më cilësor me energji elektrike, privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit të KEK-ut nga ana e Qeverisë së vendit, opozita dhe ekspertët e shohin si nguti dhe të dëmshme për Kosovën, ngase siç thonë ata kjo është pasuri e Kosovës dhe nuk duhet të shitet në këtë kohë të krizës.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula ka vlerësuar se për të pasur furnizim më cilësor me energji elektrike nevojiten investime në KEK, ndërsa buxheti i Kosovës nuk ka mundësi të investojë, dhe është menduar të shkohet me privatizim.

Ajo ka thënë për Kosovapress se Distribucioni dhe Furnizimi po e shkatërrojnë KEK-un, dhe se privatizimi po bëhet me qëllim të ketë një menaxhim më të mirë.

“Procesi i privatizimit është procesi i Distribucionit dhe Furnizimit. Edhe njëherë po e ceki segmenti apo shkatërrimit të KEK-ut janë këto dyja, prandaj mendoj që këto nuk kanë treguar efekte dhe nuk janë menaxhuar dhe nuk kanë treguar rezultate, atëherë kemi shkuar në atë proces që këto dy divizione të privatizohen, duke menduar që investitori do t’i menaxhojë më mirë, jo vetëm punën e tyre, por edhe njerëzit, të cilët punojnë aty”, ka thënë Shiroka-Pula.

Ministrja Shiroka-Pula ka thënë se qëllimi i qeverisë është që distribucioni dhe furnizimi duhet të privatizohen, për shkak se do të rritet faturimi, inkasimi dhe investimet.

Për më tepër, Shiroka-Pula ka theksuar se kërkohet prej këshilltarëve të transaksionit një plan operativ se sa do të rritet faturimi e inkasimi dhe sa do të zvogëlohen humbjet. Sipas saj në qoftë se këto nuk i arrijnë këto për një periudhë të shkurtër kohor, atëherë nuk është e nevojshme të privatizohen këto dy divizione.

Mirëpo, për privatizimin e këtyre dy divizioneve kritika të ashpra jep deputetja nga radhët e AKR-së dhe njëherë kryetare e komisionit për ekonomi, Myzejene Selmani, e cila këtë veprim të qeverisë e quan absurd.

“Një qeveri, e cila edhe 6 muaj qeverisje të veten edhe 6 muaj pas shpalljes së presidentit për zgjedhjet e ardhshme shpall për privatizimin e ndërmarrjeve publike është diç absurde. Kjo nguti e tyre a po vjen për arsye të mbylljes së kostos së autostradës, a për arsye se sa janë vetë në qeveri me i kryer disa hesape me ndërmarrje publike. Unë nuk e di se ku është qëllimi i kësaj qeverie për këtë nguti aq të madhe me asete shumë të rëndësishme të shtetit”, ka theksuar Selmani.

Për më tepër ajo ka thënë se duke marrë parasysh krizën globale dhe menaxhimin e dobët të ndërmarrjeve publike, ofrohen çmime të shumë të lira për blerjen e ndërmarrjeve.

Nga ana tjetër eksperti i energjetikës, Avni Kurshumliu, ka thënë për Kosovapress se kjo nguti e ekzekutivit të vendit është e pakuptimtë.

“Mendoj që është një nguti e pakuptimtë për shkak se veprimet elementare për përgatitjen e këtyre njësive për shitje nuk janë kryer. Së pari unë mendoj që nuk është kryer korporatizimi i KEK-ut, është nis dhe nuk ka mbërri askund. Është parapa ndarja e Distribucionit të shitjes prej kësaj pjese të gjenerimit dhe thëngjillit as ajo nuk ka ndodh. Pra, i ki dy njësi në kuadër të KEK-ut dhe nuk e di se si do të funksionojnë, e donë me i shit”, ka thënë Kurshumliu.

Ai e cilëson të pavend privatizimin e Distribuimit të KEK-ut, kur dihet se borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve ndaj këtij distribucioni llogaritet të jetë rreth 400 milionë euro. Sipas tij paralajmërimet për privatizimin e njësive të KEK-ut vjen si pasojë e mungesës së një analize të mirëfilltë nga Qeveria e Kosovës.

Një privatizim të tillë të ndërmarrjeve publike e kanë kundërshtuar edhe shoqëria civile, duke e quajtur si të dëmshme për Kosovën. /kosovapress/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›