E Shtunë, 31 Tetor 2026

MEF me kontrata të pavlefshme

Ministria e Ekonomisë dhe e Financave ia kalon të gjitha institucioneve tjera shtetërore për punësim joformal. Kështu së paku ka konstatuar raporti i auditimit për vitin 2009 mbi MEF-in.

Mbi 40 kontrata të marrëdhënies së punës në këtë ministri konsiderohen jovalide, pasi nuk janë rishikuar dhe ripërtërirë me kohë ngase u kishte skaduar afati.

Për me tepër, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAGJ) ka gjetur një punëtor që mban dy poste, njërin në MEF dhe tjetrën në Doganë, duke u paguar me orar të plotë, edhe pse në njërën nga këto pozita ka punuar vetëm 50 për qind të kohës.

“Për këtë rast ministria pagoi pagë për punë në orar të plotë dhe kompensim jashtë orarit për gjysmë orari të punës”, thuhet në raportin e ZAGJ`it për Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, në auditimin e pasqyrave financiare për vitin 2009.

Auditimit nga ZAGJ nuk i ka ikur as përzgjedhja e këshilltarëve për këtë ministri. Në këtë drejtim ka munguar qasje e drejtë e vlerësimit të kandidatëve. Saktësisht, auditori i paraqet si të paarsyeshme poenët e dhëna ndaj kriterit individual për përfituesin e tenderit, siç është tri vite eksperiencë pune profesionale në financa.

“Përvoja e punës në financa dhe kontabilitet dhe eksperienca me ekspertë ndërkombëtarë nuk korrespondojnë me performansën e ofruar në dosjen e tenderit”, tregon raporti i auditorit.

Shkelje tjera në fushën e prokurimit publik, sipas këtij raporti, janë shërbimet e udhëtimeve zyrtare dhe shërbimet kontraktuese. Sipas kontratës për bileta të udhëtimit, parashihet mundësia e devijimit të çmimeve për relacione të caktuara, duke iu përshtatur çmimeve të tregut me datën e lëshimit të biletës nga agjensioni.

“Mirëpo, për këtë duhet të arrihet marrëveshja paraprake në mes autoritetit kontraktues dhe kontraktuesit. Çmimet kishin ndryshuar pa pasur marrëveshje të tillë paraprake dhe mund të ndikojë në krijimin e shpenzimeve me të larta”, thuhet në raportin e auditorit.

Edhe në rastin tjetër thuhet se zyrtarë të bordit për raportim financiar për shërbimet e kryera ishin paguar përmes buxhetit për mallra dhe shërbime, derisa tatimet dhe kontributet nuk janë arsyetuar në të gjitha rastet me dëshmi përkatëse.

Sipas auditorit, pagesa e shërbimeve jo përmes kategorisë paga dhe mëditje mundëson shmangien e pagesës së obligimeve tatimore dhe kontributeve tjera.

Kjo ministri, sipas auditorit, nuk ka arritur kontroll të duhur as në menaxhimin e ndërmarrjeve publike, pasi edhe pjesa më e madhe e investimeve kapitale kanë shkuar në atë drejtim. Kështu shpenzimet e MEF-it për investime kapitale për vitin 2009 ishin në vlerë prej 23.7 milionë euro, prej të cilave 22.5 milionë euro ishin shpenzuar për financimin e projekteve kapitale të ndërmarrjeve publike.

Kjo vërehet posaçërisht të kategoria e subvencioneve dhe transfereve. Gjatë vitit 2009, shpenzimet totale për këtë kategori ishin 73.7 milionë euro dhe kryesisht kishin destinim ndërmarrjet publike.

Raporti i auditorit tregon se vetëm KEK-u gjatë vitit 2009 kishte përfituar subvencione prej 64.2 milionësh, e pasuar nga ngrohtorja e qytetit me 1.9 milionë euro. Këto mjete, KEK thuhet se i kishte përfituar për importim të energjisë elektrike.

Ndërkaq, të gjeturat e auditorit flasin për mospërmbushje të përgjegjësive nga ndërmarrjet publike, përkundër faktit se ishin subvencionuar “majmë” nga Qeveria.

“NP nuk kishin hapur llogaritë e kërkuara bankare specifike për subvencionet e pranuara dhe nuk kishin dërguar raporte tremujore në MEF për gjendjen e subvencioneve, siç ishte kërkuar me kontratë”, konstaton ZAGJ.

Nga përgjithësi, sa i përket shpenzimeve të MEF-it, ato gati janë dyfishuar në krahasim me vitin 2008. Kështu buxheti fillestar i MEF`it për vitin 2009 ishte 176.4 milionë euro. Ndërsa me rishikim, Kuvendi kishte rritur buxhetin për 9.6 milionë euro, për arsye të financimit të ndërmarrjeve publike.

“Buxheti final është 190.3 milionë euro që tregon një tejkalim të buxhetit të rishikuar për rreth 4.2 milionë euro”, ka vlerësuar Auditori.

Sipas raportit, vetëm shpenzimet për subvencione dhe transfere ishin rreth 250 për qind me të larta se në vitin 2008. Ndërkaq, buxheti për investime kapitale ishte realizuar me 79 për qind për shkak të dështimit të projekteve të ndërmarrjeve publike, përkatësisht ngecjes se projektit të autostradës.

Ndryshe, sikur në vitet e kaluara, sipas auditorit, është vërejtur tendencë e rritjes se shpenzimeve në fund të vitit financiar, saktësisht në tremujorin e fundit, duke arritur deri 50 për qind të shpenzimeve nga buxheti i përgjithshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›