E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kundërshtoi dhe goditi punonjësin e Policisë Rrugore, arrestohet 31-vjeçari

TIRANË, 19 mars /ATSH/ Një 31-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi ka kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës një punonjës të Policisë Rrugore.

Siç njofton policia e Tiranës “më datë 18.03.2025, te rrethrrotullimi i Unazës së Re, në rrugën “Sotir Caci”, punonjësi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, i planëzuar me shërbim, i ka bërë shenjë ndalimi një automjeti, pasi ka konstatuar lëvizje të pakontrolluara në rrugë”.

“Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar, por ka vijuar lëvizjen. Duke vijuar lëvizjen, drejtuesi i automjetit e ka tërhequr punonjësin e Policisë, për disa metra, duke i rrezikuar jetën. Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe ndaluar automjetin, dhe i ka kërkuar drejtuesit, t’i paraqesë dokumentacionin. Drejtuesi i automjetit e ka kundërshtuar dhe më pas e ka goditur punonjësin e Policisë, duke i shkaktuar dëmtime fizike”, njoftoi policia.

“Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat drejtuesin e automjetit, dhe në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të tij, konkretisht shtetasit F. K., 31 vjeç, banues në Tiranë”, njoftoi më tej policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›